HASAN (BRAHIM) ÇEKU – MËSUESI PATRIOT, QË U FLIJUA PËR LIRI

14 maj 2022 | 14:42

– jetëpërshkrim i shkurtër për një idealist të madh –

Nga: Isuf Sherifi

Në gjithë historinë e qëndresës dhe mbijetesës së popullit shqiptar, në të kaluarën e largët dhe në atë të afërt, gjithmonë janë shquar, me punë dhe sakrifica, në të mirë të popullit, edhe luftëtarët dhe heronjt e heshtur, që nuk janë ekspozuar me rrahagjokse dhe tamtame politike e partiake.
Mbjellja e farës së diturisë, kultivimi i ndjenjave atdhetare dhe liridashëse e çlirimtare, kanë qenë shtysë kryesore e punës së tyre.

Njëri ndër këta heronj të heshtur është edhe Hasan – Brahim Çeku nga fshati Qyshk, i komunës së Pejës. I lindur më 27.11.1930 nga prindër bujar, nëna Nifë dhe i ati Brahim, ai pati fatin e keq që të rritet jetim dhe në kushte tejet të vështira, mirëpo, përkundër kësaj vështirësie jetësore, ai arriti të shkollohet dhe të rreshtohet në armatën e atyre që vendit të tyre do t’i hapnin shtigje të shëndosha diturie.

Pasi përfundon Normalen, si shkalla më e lartë e arsimimit në atë kohë, Hasan Çeku mundi të punësohej si mësues, ndër të parët e shkollave shqipe. Ai do të punojë në vende të shumta siç ishin trevat e Rugovës, në Dobërdol, Budisalcë, në Treboviq e Qyshk. Qëllim parësor i tij ishte edukimi i brezave të rinj, e veçmas emancipimi dhe avancimi i femrës shqiptare mbetur anash deri në atë kohë, jo për fajin e tyre, por si pasojë e pushtimeve dhe sundimeve të egra shekullore.

I vetëdijshëm që arsimimi i një kombi është edhe rruga drejt përparimit dhe zhvillimit, ai mësimdhënien nuk e kishte veç profesion, por e kishte shndërruar në mision që do të zgjasë një jetë të tërë.

Puna dhe angazhimi i tij prej mësuesi, do të kishin për bazë angazhimet që vinin si frymëzim nga rilindasit. Ai do të njihej edhe si mësuesi që planprogrameve të atëhershme do t’u devijonte duke ngjallur frymën patriotike tek nxënësit e gjeneratave të shumta.
Misioni i tij prej mësuesi atdhetar do të vazhdojë, derisa një ditë pushteti antishqiptar i kohës do vendoste nën vëzhgim, dhe pas një kohe do ta largoj të tërin nga puna, ngase nuk i përfillte tekstet e modifikuara të pushtetit, por nxënësit i mësonte ndryshe, duke iu shpjeguar një të vërtetë tjetër të historisë shqiptare.

Hasan Çeku, edhe pse ishte mbajtës i vetëm i familjes së madhe shumëanëtarëshe, ai nuk do të devijonte nga misioni i tij, pranoi të mbesë i papunë, por me sofrën plotë bukë, kripë e zemër siç thotë populli, e me faqe tê bardhë.

Pas afër dhjetë vitesh tejet të vështira, ai arrinë disi të punësohet në Birrarinë e Pejës, mirëpo edhe aty nuk kalon kohë e gjatë dhe në vitin 1990, si shumë shokë të tjerë që nuk e pranojnë administrimin e dhunshëm të shtetit pushtues serb në Kosovë, e largojnë nga puna.

As kjo nuk e gjunjëzoi, përkundrazi, e nxiti edhe më shumë që të vihet në ballë të demostratave kundër shtypjes e gjenocidit serb. Në këtë periudhë të angazhimit të tij, tanimë edhe përkrah nxënësve të dikurshëm të tij, që kishin marrë edhe përgjegjësinë e bartjes së peshës së luftës dhe çlirimit, ai do të rrahet dhe torturohet disa herë nga regjimi pushtues serb.

Misioni i tij prej mësuesi dhe edukatori, ashtu si edhe i shumë mësuesve të tjerë anekënd Kosovës, tek populli shqiptar i robëruar nên ish -Jugosllavi do të ndikonin të orientoheshin mirë dhe drejtë drejt rrugës së lirisë.

Hasan Çeku, dhe jo vetëm ai, por e tërë famija e tij, ishin aty ku i kërkonte liria kombëtare. Skender Çeku – tanimë hero, i kyçur në rrjedhat e luftës që në ditët e para. Agim Çeku, djali i madh i Hasanit, me kontakte pothuajse të përditshme me Skender Çekun, dhe të tjerë bartës të luftës, më vonë edhe njëri nga udhëheqësit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe edhe të tjerë fëmijë e familjarë të Hasan Çekut, i madh e i vogël, pa përjashtim dhe pa dallim, ashtu sikurse edhe Haxhi Çeku, i vëllau i Hasan Çekut, i cili ishte jo vetëm vëlla, por edhe shok e bashkëmendimtar, me fëmijët e tij, të gjithë të rreshtuar në frontin e luftës për çlirim.

Në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet tjera të pushtuara shqiptare, mësuesit shqiptarë, që punën e tyre nuk e kishin vetëm profesion, por edhe mision, shpeshherë do t’i ndjekte fati i Pandeli Sotirit, i Metush Krasniqit – Dajkovcit, e i dhjetëra mësuesve të tjerë patriotë!

Me 14.05.1999, në fshatin Qyshk, në fshatin e mësuesit Hasan, do të ndodhë njëra nga qindra masakrat që pushtuesi serb gjatë luftës së vitit 1998- 1999 do t’i bëj ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Më masakrën e 14 majit 1999, ku pësuan 41 shqiptarë, pushtuesi do t’i marrë jetën edhe mësuesit dhe patriotit – luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovês – Hasan Çeku.

Në bazë të dëshmitarëve të gjallë, në mesin e shumë burrave të mbledhur me dhunë për pushkatim, ata qëllimisht do ta piketojnë dhe veçojnë Hasan Çekun, duke pyetur se cili nga ju është babai i Agim Çekut. Gjithnjë sipas dêshmitarëve, ngjarja vazhdon tutje duke marrë konotacione dramatike, e që t’i kujtojnë heroizmat e kreshnikëve shqiptarë që sakrifikoheshin vetë, për të mirën e shokut, bashkëluftëtarit, popullit dhe vendit.

“Kusherinjtë dhe bashkëfshatarët e mi mos i prekni. Nëse dikush duhet të vdesë se përse Agimi po lufton dhe e mbronë atdheun e tij, atëherë jemi ne familja e tij… Ja ku jemi…na vrisni…, por mos i prekni kushêrinjtë dhe bashkëfshatarët e mi!”
Ai vetë do t’i ndante familjen nga grupi dhe do t’i drejtohë tek muri, duke u thënë ushtarëve serbë se, “ne nuk e lëshojmë shtëpinë tonë, edhe po të na vrisni të gjithëve, Kosova do bëhet shtet, andaj i qoftë falë gjaku i jonë”!

Në këtë ditë, Hasan Çekun e vranë duke e masakruar dhe djegur brenda shtëpisë së cilës paraprakisht do t’ia vendosnin flakën.

Shembulli jetësor i mësuesit Hasan Çeku, në rradhë të parë i njeriut dhe atdhetarit, tanimë edhe dëshmorit Hasan Çeku, është shembull se si duhet punuar dhe luftuar për përparim kombëtar, shtetëror e njerëzor.

Ndjehem me fat, që kam patur rastin ta takoj personalisht, njeriun fisnik, Hasan Çeku! Ai rrezatonte respekt, mirësi e atdhedashuri!

Historia për të dhe për të tjerët si ai, dhe për të gjithë ata që bënë lirinë, është histori e atyre që qytetërimet e zhvilluara i quajnë paraprijës të civilizimeve.

Shqiptarët në përgjithësi, nuk duhet të heqin dorë së kujtuari dhe nderuari këta paraprijës.
Është më e pakta që mund të bëjmë për ta!

Lavdi jetës dhe veprës së Hasan – Brahim Çeku!
Nderim dhe respekt për të gjithë të rënët për liri!

14.5.2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i muzikës, Madonna, i ka habitur të gjithë me…