Hasani: MTI-ja ka përmbushur detyrimet e dala nga agjenda evropiane

05 qershor 2018 | 16:32

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka raportuar të martën para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane për zbatimin e Programit kombëtar për zbatimin e MSA-së.

Hasani ka thënë se MTI-ja është nder institucionet e vetme që ka përmbushur shumicën e rekomandimeve që dalin nga raporti i progresit të Komisionit Evropian. “Ne kemi bërë shumë punë në përafrimin e legjislacionit me BE-në. Disa në koncept dokumente, disa janë në lexim të parë dhe disa janë në përfundim”, ka theksuar ministri Hasani.

Ndër të tjera, në këtë mbledhje u diskutua për cilësinë e naftës në Kosovë, numrin e inspektorateve, misionin e konkurrencës, lëvizjen e lirë të mallrave, doganat dhe favorizimin e prodhuesve vendorë.
Sa i përket rezervave buxhetore dhe kompetencave të trupave inspektues të cilësisë së naftës, ministri Hasani ka pohuar se kjo çështje kap kosto të lartë buxhetore dhe mund të merr kohë deri në finalizim.
Hasani ka folur edhe për Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, me ç’rast ka thënë se vetëm përmes sistemit “online” janë regjistruar deri më tani 46 biznese.

Ai ka bërë me dije se shumë shpejt do të hyjë në funksion dhe softueri i ri sa i përket unifikimit të numrit të bizneseve. “Shumë shpejt do të fillojmë me softuerin e ri për unifikim të numrit të bizneseve që do t’u lehtësoj punën bizneseve. Presim shumë shpejt të këtë lehtësira dhe në sistemin ‘online’. Janë regjistruar 46 biznese”, ka thënë Hasani.

Kurse, anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti, e ka përgëzuar ministrin Hasani për angazhimin e treguar deri më tani.
Pavarësisht kësaj, Pajaziti kishte vërejtje tek rezervat e naftës, ku ka kërkuar nga ministri Hasani të deklarohet për një zgjidhje të mundshme.

Me këtë rast, ministri Hasani, ka përsëritur qëndrimin e tij se kjo çështje ka kosto të lartë buxhetore.
Ai ka thënë se për shkak të implikimeve financiere ende nuk kanë ndonjë opinion përfundimtar lidhur me çështjen e rezervave të naftës.

Po ashtu, ministri Hasani ka paralajmëruar masa të reja mbrojtës për prodhuesit vendor, reformim të inspektoratit, si dhe të KIESA-s. “Duhet të bëhet reformimi i KIESA-s. Kurse, sa i përket mbrojtjes së prodhimeve vendore janë 12 apo 13 raste që jemi duke i shqyrtuar pasi që përpos ankesës së prodhuesve vendorë ne duhet ta verifikojmë një produkt para se t’i vëmë masat mbrojtëse”, ka thënë Hasani.

/Epoka e re/ A.Mavraj/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e…