Hashim Thaçi, shtyllë e rezistencës kombëtare, arkitekt i lirisë, shtetndërtimit dhe dinjitetit të Republikës së Kosovës, meteor i shpalljes së Pavarësisë

24 korrik 2025 | 13:11

Autor: Prof. Dr. Fejzulla Berisha
(Ekspert i së Drejtës Publike)

I. Figura që mishëroi epokën e shtetformimit

Hashim Thaçi zë një vend qendror në historinë politike, juridike dhe diplomatike të Kosovës moderne. Nga një figurë e formuar në betejën për identitet, liri dhe vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës, ai u bë ndër protagonistët kyç të shtetndërtimit dhe konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Me një profil të shumëdimensionuar – si lider politik, komandant i rezistencës, negociator ndërkombëtar, kryeministër dhe president – Thaçi mishëron vazhdimësinë historike të projektit për shtetësi dhe dinjitet kombëtar në trojet shqiptare.

II. Dimensioni politik i lidershipit – Nga lëvizja ilegale në drejtimin e shtetit

Rruga politike e Hashim Thaçit nuk fillon me strukturat formale të shtetit, por në themelet e një lëvizjeje ilegale, të organizuar përballë represionit sistematik të regjimit serb në Kosovë gjatë viteve ’90. Si udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Thaçi e ndërkombëtarizoi luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, duke e shndërruar atë nga një konflikt i brendshëm i trajtuar me indiferencë ndërkombëtare, në një krizë globale që kërkoi ndërhyrje ushtarake të NATO-s.
Roli i tij në Konferencën e Rambujesë (1999) u bë pikë kthese, ku Thaçi u paraqit si përfaqësuesi politik i vullnetit të popullit për liri, duke legjitimuar aspiratat kombëtare në një forum ndërkombëtar. Përballë mungesës së vullnetit të Serbisë për paqe dhe barazi, Hashim Thaçi dhe ekipi i tij politik refuzuan çdo zgjidhje që binte ndesh me të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje – një akt politik me përmasa historike.

III. Shtetndërtimi pasluftës – Arkitekt i institucioneve dhe themelues i republikës moderne

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, Thaçi luajti rol kyç në procesin e transformimit të lëvizjes çlirimtare në një strukturë të re politike e institucionale. Si themelues dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ai udhëhoqi reformimin institucional të vendit, duke e kthyer Kosovën nga një territor nën administratë të përkohshme ndërkombëtare në një shtet me institucione të qëndrueshme, të orientuara drejt standardeve euroatlantike.
Gjatë mandatit të tij si kryeministër (2008-2014), Thaçi udhëhoqi qeverinë që shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008, një akt politik dhe juridik me rëndësi themelore për arkitekturën ndërkombëtare të së drejtës dhe të rendit global. Ky akt nuk ishte vetëm një rezultat i brendshëm politik, por edhe kulmimi i një procesi të gjatë ndërkombëtarizimi të çështjes së Kosovës.

IV. Shpallja e Pavarësisë – një ngjarje me peshë ndërkombëtare

Shpallja e Pavarësisë, e lexuar nga Kryeministri Thaçi më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës, përbën momentin më sublim të realizimit të të drejtës historike dhe juridike të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje. Ky akt u përgatit përmes një procesi shumëplanësh politik, diplomatik dhe juridik, i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Bashkimit Evropian.
Kosova u shpall republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike mbi baza të së drejtës ndërkombëtare dhe parimit të sui generis – një precedent unik, i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 korrik 2010, e cila në mendimin e saj këshillimor legjitimoi shpalljen e pavarësisë dhe veçoi rastin e Kosovës nga rastet e tjera të ndarjes shtetërore. Thaçi, si udhëheqës i qeverisë dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës në këtë proces, luajti një rol të dorës së parë në këtë sukses ndërkombëtar.

V. Roli presidencial – Diplomacia e shtetësisë dhe përfaqësimi global

Si President i Republikës (2016-2020), Hashim Thaçi kaloi nga funksioni ekzekutiv në atë simbolik e përfaqësues, por duke ruajtur dimensionin aktiv diplomatik. Ai u angazhua fuqishëm në promovimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, forcimin e partneritetit strategjik me ShBA-në dhe në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit në organizata multilaterale.
Në këtë fazë, Thaçi mbrojti me vendosmëri vijat e kuqe të shtetësisë së Kosovës, duke refuzuar çdo formulë që binte ndesh me karakterin unitar dhe sovran të shtetit. Në qasjen e tij diplomatike mbizotëronte një filozofi proaktive, e orientuar drejt finalizimit të njohjes globale të Kosovës, sidomos përmes partneriteteve të fuqishme euroatlantike.

VI. Kontributi në dimensionin juridik ndërkombëtar – Një rast i përplasjes së drejtësisë dhe politikës

Rasti i ndjekjes së tij penale nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, megjithëse i diskutueshëm në aspektin e parimit të barazisë para ligjit dhe drejtësisë tranzicionale, e nxori në pah sfidën që Kosova si shtet i ri ballafaqohet me mbivendosjen e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë mbi sovranitetin e saj të brendshëm. Megjithatë, qëndrimi institucional i Hashim Thaçit – dorëheqja nga posti i Presidentit për të përballuar procesin gjyqësor – përbën shembull të lartë të përgjegjësisë shtetërore dhe besimit në parimet e drejtësisë, sado selektive qoftë ajo në realpolitikën ndërkombëtare.

VII. Një emër i lidhur me lirinë dhe identitetin kombëtar

Hashim Thaçi përfaqëson një brez të rrallë liderësh që i dhanë emër historisë dhe e formësuan realitetin politik të një kombi në liri. Figura e tij mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me çlirimin, shpalljen e pavarësisë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ai është jo vetëm protagonist i historisë sonë kombëtare moderne, por edhe një aktor me ndikim në transformimin e normave të së drejtës ndërkombëtare, sidomos në raport me të drejtën për vetëvendosje dhe ndërhyrjen humanitare.
Hashim Thaçi mbetet meteor i shpalljes së pavarësisë, shtyllë e rezistencës kombëtare dhe arkitekt i lirisë institucionale e politike të Republikës së Kosovës. Në ndërgjegjen historike dhe juridike të kombit shqiptar, ai është shndërruar në simbolin e një epoke të ndritshme që shënoi kalimin nga robëria në sovranitet, nga dhuna në paqe dhe nga aspirata në realitet shtetëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Isuf Sherifi SEÇ MË SHKREPI TË SHKRUAJ EDHE UNË NJË…