Haskuka: Siguria e qytetarëve prioritet i të gjitha institucioneve relevante

14 nëntor 2018 | 12:10

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Prizrenit ka mbajtur mbledhjen e radhës, e cila është drejtuar nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka.

Pas miratimit të procesverbaleve nga mbledhjet e kaluara dhe miratimit të rendit të ditës, u prezantuan planet dhe projektet e realizuara të Policisë së Kosovës për situatën e sigurisë për periudhën gusht-tetor 2018, me ç’rast pati diskutim për çështje të ndryshme si parkingjet ilegale, siguria në shkolla, planet operative rreth rasteve të grabitjes, aksionet ndaj lëmoshëkërkuesve, trajtimi ndaj qenve endacakë, tollovia e krijuar në Lubizhdë nga tregu i automjeve, orari i punës së lokaleve hoteliere dhe zhurma e krijuar nga to etj.

Më pas nga Drejtoria e Arsimit u prezantuan projektet dhe sfidat e kësaj drejtorie për sigurinë në institucionet shkollore në Komunën e Prizrenit, për periudhën shtator-tetor 2018.
Këtu, vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për angazhimin e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla, projekt ky që do të fillojë të realizohet nga viti i ardhshëm.

Një çështje tjetër e cila u parashtrua në mbledhje ishte edhe ajo për funksionalizimin e kamerave të sigurisë. Në lidhje me këtë u sqarua se Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri nga fillimi i vitit të ardhshëm do të fillojë t’i rregullojë dhe t’i funksionalizojë kamerat ekzistuese, si dhe njëkohësisht edhe do ta shtojë numrin e kamerave, ndërsa u dakordua që lokacionet e kamerave të reja të caktohen në pika strategjike, në koordinim me Policinë e Kosovës.

Në fund, pjesëmarrësit në mbledhje u dakorduan për caktimin e grupeve punuese në koordinim me Organizatat e Sigurisë, për mbajtjen e dy takimeve me qytetarë, për sigurinë publike në Komunën e Prizrenit, ndërsa anëtarët e grupeve punuese do të propozohen në ndërkohë nga organizatat përkatëse.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot…