Haxhiu kërkon angazhimin e Prokurorisë Speciale në rastin e Arlinda Zekajt

02 nëntor 2026 | 12:06

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Prokuroria Speciale të angazhohet në hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke përfshirë edhe veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve institucionalë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se është duke u konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë procedurat dhe përgjegjësitë institucionale që lidhen me këtë rast.

Ajo ka theksuar se do të jetë në dispozicion të plotë të komisionit dhe ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e ftuar si dëshmitarë të paraqiten dhe t’u përgjigjen kërkesave të tij.

Haxhiu ka vlerësuar se Komisioni Hetimor Parlamentar është një mekanizëm shtesë, ndërsa hetimet për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve duhet t’i zhvillojë prokuroria.

“Pa dyshim që prokuroria do të duhej të merrej me hetime në këtë rast, përkatësisht do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetime në raport me veprimet dhe mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se komisioni do të përpilojë një dokument përfundimtar lidhur me rastin dhe do t’ia përcjellë prokurorisë përgjegjëse.

“Uroj që ajo të jetë Prokuroria Speciale, për shkak se këtu përfshihen zyrtarë të lartë, përfshihen kryeprokurorë, prokurorë, policë, zyrtarë të tjerë të institucioneve, prandaj bie në fushëveprimtarinë e kësaj prokurorie”, është shprehur ajo.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, ka…