Haxhiu: Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti

07 dhjetor 2020 | 19:14

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kritikuar Qeverinë Hoti, duke thënë se po dëshmon mungesën e vullnetit për adresimin e krimeve të luftës.

Haxhiu ka deklaruar se Qeveria Kurti ishte e përkushtuar për adresimin e krimeve të luftës të shkaktuara nga Serbia.  “Së pari, me mbështetjen e institucioneve për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe së dyti, me themelimin pa vonesa të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ekipi i mandatuar për themelimin e Ekipit kishte nisur punën në këtë drejtim. Mandati i tij ishte deri në shtator 2020. Për shkak të pazareve për rrëzimin e Qeverisë nuk na lejuan ta finalizojmë”, ka shkruar Haxhiu në profilin e vet në “Facebook”.

Tutje, në reagimin e bërë, Haxhiu ka deklaruar se Qeveria Hoti po shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti. “Qeverisë së pazareve të vjetra, kësaj aktuales iu deshën 6 muaj për ta bërë një vendim, e një ekip. Kjo zvarritje për një çështje tejet me rëndësi dëshmon mungesën e vullnetit për adresimin e krimeve të luftës. Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti. Fat i mirë që kjo Qeveri nuk ka jetëgjatësi dhe punët e mira që i kemi nisur, do t’i shtyejmë përpara me vullnet dhe angazhim maksimal”, ka deklaruar ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj,  ka folur për problemin me…