Haxhiu: LDK-ja po synon ta mbajë Thaçin në krye të shtetit edhe për 5 vite

23 maj 2020 | 12:23

Lëvizja Vetëvendosje është duke e akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) se po synon që presidentin Hashim Thaçi ta mbajë në krye të shtetit edhe për pesë vite të ardhshme.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë informacione se LDK-ja si shpagim për mundësinë e formimit të qeverisë, mund të votojë Thaçin sërish për president.

Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje është duke u angazhuar që kjo mos të ndodh që Thaçi të ketë edhe një mandat tjetër si president i Kosovës.

“Kam dëgjuar edhe një rrezik që mund të ndodh, që ne do të angazhohemi që kjo mos të ndodh. Presidenti Thaçi të ketë edhe një mandat. Kjo të ishte fatkeqësi e madhe për Kosovën dhe për interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Haxhiu për “Kosovapress”.

Ndërsa  analisti politik, Rasim Aliaj, ka thënë se procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri do të fillojnë në janar të vitit të ardhshëm, ku thotë se LDK-ja dhe AAK-ja i kanë zbutur qëndrimet rreth një votimi të mundshëm nëse rikandidohet për president Hashim Thaçi.

Aliaj ka thënë se kandidatura e presidentit Thaçi lidhet me një marrëveshje politike që mund të bëhet.

“Është e rëndësishme se cilido kandidim i presidentit Thaçi lidhet me një marrëveshje politike që mund të ketë me gjitha subjektet politike, e veçanti me LDK-në… AAK-ja i ka zbutur qëndrimet  rreth një votimi të mundshëm në rast të rikandidimit të Thaçit për president. E gjitha ju mbetet marrëveshjeve politike”, ka thënë Aliaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren - Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, për…