
Haxhiu: Mund të ketë edhe seanca tjera
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu – e propozuar për kryeparlamentare – ka thënë të premten se është e natyrshme që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, marrë parasysh situatën aktuale, ndonëse as Partia Demokratike e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë kërkuar masë të përkohshme kur i kanë dërguar lëndët e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Këtë masë e ka kërkuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë javës.
“Na kanë mbetur edhe pak orë. Na ka mbetur sot, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe më vonë, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe nesër. Në rrethana të tilla duhet reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”.
Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asgjë konkrete nga propozimi që i ka bërë Nismës Socialdemokrate për ta pasur partnere në koalicion qeveritar.