Haxhiu nënshkruan autorizimin për dërgimin e FSK-së në Gaza
Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Ajo ka thënë se ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar.
“Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.



