Haxhiu: Pres takime mes liderëve këtë javë, duhet zgjidhje për presidentin
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se pret që gjatë kësaj jave të zhvillohen takime mes liderëve politikë dhe të gjendet zgjidhje për çështjen e Presidentit, shkruan Reporteri.net.
Sipas saj, takimet mes liderëve do të mund të zhvilloheshin edhe para se Gjykata Kushtetuese të dilte me Aktgjykim, duke shtuar se masa e përkohshme ishte veç për Kuvendin.
Haxhiu ripërsëriti deklaratën e saj se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Unë pres, bazu edhe në atë që Kryeministri Kurti ka thënë, që do të ketë ftesa për takime…Gjykata nuk i ka ndaluar takimet mes liderëve politikë…Tash meqë kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, unë pres që gjatë kësaj jave të kemi takime mes liderëve dhe të ketë zgjidhje, jo veç takime, por vullnet e konstruktivitet për ta tejkaluar këtë situatë”, ka deklaruar Haxhiu.
E para e Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme që së paku të ketë përpjekje që të gjendet zgjidhje.
“Është tepër e rëndësishme që të paktën të përpiqemi ta gjejmë zgjidhjen për çështjeen e presidentit. Vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ajo çfarë qytetarët kanë nevojë është që Kuvendi ta zgjedhë presidentin, që partitë gjatë kësaj kohe të kenë takime konstruktive që dëshmojnë vullnet. Nuk domethënë që veç të shkosh në takim”, deklaroi Haxhiu në RTK.
Sa i përket Dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, Haxhiu tha se “ka qenë i ngutshëm dhe befasues”.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ia hodhi poshtë sot kërkesën Haxhiut për procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Përmes Aktvendimit, Kushtetuesja e refuzoi edhe kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.
Haxhiu i ishte drejtuar Kushtetueses më 5 mars, pasi kishte ndërprerë seancën për zgjedhjen e presidentit, në mungesë kuorumi. Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Në aktvendimin e publikuar thuhet se Gjykata nuk konsideron se ka çështje për shqyrtim, meqë kjo tashmë është sqaruar.
“Në dritën e kësaj, Gjykata konsideron se nuk ka çështje për shqyrtim, ngase kjo tashmë është sqaruar qartë edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës përmes rasteve KO29/11 dhe KO47/16, cituar më lart (shih, në mënyrë të ngjashme rastet e Gjykatës: KO98/20, parashtrues Hajrulla Çeko dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr.52/2020, të Presidentit të Republikës së Kosovës i datës 14 mars 2020, Vendim për heqje të kërkesës nga lista i 18 nëntorit 2020, paragrafi 83; dhe KO63/12, me parashtrues Alma Lama dhe 10 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr. 04/L-82, Vendim për heqje të kërkesës nga lista i 10 dhjetorit 2012, paragrafi 19)”, thuhet në Aktvendimin e Kushtetueses./Reporteri.net



