
Haxhiu thekson rëndësinë e rritjes së përfshirjes së të burgosurve në programe rehabilituese
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim pune me drejtuesit e institucioneve korrektuese, për të vlerësuar progresin e arritur dhe të për të përcaktuar prioritetet e mëtejshme për institucionet korrektuese.
Gjatë takimit, Haxhiu ka vlerësuar thellësisht përkushtimin e stafit korrektues dhe duke theksuar rëndësinë e rritjes së përfshirjes së të burgosurve në programe rehabilituese.
“Në muajt e fundit është shënuar një rritje e ndjeshme në këtë drejtim, gjë që dëshmon se po ecim drejt një sistemi korrektues që jo vetëm ndëshkon, por edhe ofron mundësi reale për integrim të qëndrueshëm në shoqëri. Një aspekt i rëndësishëm që diskutuam ishte përmirësimi i dukshëm i sigurisë brenda institucioneve korrektuese. Ulja e numrit të incidenteve tregon se masat parandaluese dhe vigjilenca e shtuar po japin rezultate konkrete. Theksova se këto arritje duhet të na motivojnë për të vazhduar me politika të qëndrueshme dhe efikase në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat mbështetëse. “Falënderova të gjithë partnerët për kontributin e tyre të çmuar, duke theksuar se ndihma teknike, profesionale dhe financiare ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për stafin korrektues dhe mënyrën e trajtimit të të burgosurve”, ka deklaruar Haxhiu.