Haziri kërkon vazhdimin e të gjitha projekteve në Gjilan

03 shtator 2020 | 12:01

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e bordit të drejtorëve të ka kërkuar vazhdimin e të gjitha projekteve, por gjithmonë organizimin e punës në kushte pandemie.

Ai ka potencuar se në seancën e radhës të Kuvendit të Komunës do të propozohet bartja e mjeteve financiare, e gjitha kjo në funksion të realizimit të projekteve kapitale me interes të përgjithshëm.

Kryetari Haziri në fjalën e tij në këtë mbledhje ka kërkuar angazhimin maksimal deri në përmbylljen e plotë të planifikimit vjetor, edhe pse në disa sektorë ka tejkalime pozitive të planifikimit, falë lojalitetit dhe kulturës së lartë të qytetarëve që t’i paguajnë taksat edhe përkundër që pjesa më e madhe e këtij viti i është përkushtuar parandalimit të pandemisë globale.

Në fushën e arsimit është konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi i mësimit të fillojë në koordinim me Ministrinë së Arsimit, derisa drejtoria e Shëndetësisë, këtë vit kishte sfidë e cila është menaxhuar me kujdes në përballjen me pandeminë globale dhe fokusi kryesor i saj edhe më tutje mbetet shëndeti publik dhe luftimi i Covid-19.

Inspeksioni komunal ka njoftuar për vazhdimin e punës dhe inspektimin në kuadër të detyrës zyrtare, prej respektimit të masave kundër pandemisë, e deri te monitorimi dhe zbatimi i ligjit për sektorë të ndryshëm, tregjet mobile, ndërtimeve pa leje, sanitarinë etj.

Edhe në Shërbimet Publike konfirmohet realizimi i projekteve të kontraktuara në disa vendbanime.

Në fushën e bujqësisë projektet e mbështetjes së bujkut ishin në bazë të nevojës për zhvillim të bujqësisë në bazë të planifikimit që ka bërë drejtoria përmes mjeteve financiare të Komunës së Gjilanit, Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve.

Projekte të tjera janë edhe ato në efiçiencë të energjisë, në tri shkolla të Gjilanit, të pasuar nga projekti i madh i impiantit dhe kolektorëve e deri te fizibiliteti për Pendën e Livoçit të Epërm.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Chelseas, Ngolo Kante, është përfolur ditët e fundit…