Haziri: Përpos ruajtjes së shëndetit publik, sfidë ka qenë edhe ruajtja e shëndetit të ekonomisë

14 korrik 2020 | 14:32

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në takimin publik me qytetarët të organizuar përmes platformës online, e cila është mundësuar nga DEMOS, ka folur për sukseset, sfidat e problemet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Haziri ka thënë se këtë gjashtëmujor e karakterizon përballja me pandeminë Covid-19, duke thënë se përpos ruajtjes së shëndetit publik, sfidë ka qenë edhe ruajtja e shëndetit të ekonomisë.

“Faleminderit DEMOS-it për mbështetjen dhe organizimit të takimit publik përmes platformës online, në kushte pandemie. Gjashtëmujori i parë i vitit 2020, karakterizohet me pandeminë Covid-19. Vitin e kemi filluar me Flakën e Janarit që sivjet i është kushtuar Abdullah Tahirit dhe në shkurt kemi punuar në plane për përgatitjet organizative në përputhje me buxhetin, objektivat dhe synimet, duke organizuar të gjithë sektorët, e duke ndërtuar ambicie për një vit dinamik dhe buxhetor, i cili pritej të jetë në interes të zhvillimor projekteve zhvillimore të Gjilanit”, ka thënë Haziri, gjatë adresimit para qytetarëve.

Kreu i komunës së Gjilanit ka thënë se më 22 shkurt kanë filluar masat anti Covid, sipas rekomandimeve të IKSHP-së. “Më 13 mars e kam nxjerrë vendimin mbi themelimin e Komitetit kundër Covid dhe Qendrës Operative Emergjente, të cilët punojnë çdo ditë për t’i trajtuar rastet dhe kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Haziri, duke shtuar se mbi 5 000 familje u kanë asistuar me pako ushqimore dhe higjienike.

Ai ka pohuar se komuna e Gjilanit është në përfundim të vlerësimit të dëmeve në ekonomi e bujqësi dhe shumë shpejt do dilet me qëndrim zyrtar.

Sa i përket investimeve publike, Haziri ka thënë se këto po bëhen mbi parimin e barazisë qytet-fshat.

Përkundër vështirësive që ka sjell pandemia, kryetari Haziri ka thënë se arsimi është dikasteri që shumë suksesshëm e ka përballuar, duke u bërë komuna e parë që e fillon aplikimin e mësimit nga distanca, derisa bujqësia tha se e ka ruajtur kalendarin e subvencionit të fermerëve.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar disa rekomandime për…