Haziri: S’kemi dalë të negociojmë për dikë tjetër, jemi ftuar me dhënë emrin për President

18 prill 2026 | 13:21

LDK ka plot emra që mund t’i propozojë për president të Kosovës, nëse për këtë temë ka një pajtim mes partisë që ka kryetar Lumir Abdixhikun dhe Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Por, sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ky subjekt nuk do të propozojë kurrkënd, përderisa nuk ka ose nuk bëhet publike një ujdi dypalëshe.

Ish-kryetari i Gjilanit, emri i të cili po ashtu është përmendur si kandidat i mundshëm për president të shtetit, tha se LDK nuk ka votë për të propozuarit e Vetëvendosje, teksa shton se janë shterur edhe mundësitë për një emër konsensual që do të përfshinte të gjitha partitë.

Në një intervistë për KosovaPress, Haziri i cilësoi lojë fjalësh dhe përpjekje për të krijuar “fajtorë publikë” në rast dështimi, thirrjet publike të Vetëvendosjes drejtuar opozitës për të propozuar një emër për president

“Nëse flasim për një emër konsensual, tashmë po shihet që u shterën të gjitha mundësitë që Kosovës me i dhënë një mundësi përmes një emri konsensual i cili i përfshin të gjitha partitë politike dhe të gjitha grupet etnike eventualisht… Në këtë fazë po flitet për, natyrisht për një marrëveshje LDK-LVV. Kjo është e vetmja angazhim politik që LDK-ja e ka në raport me LVV-në për të gjetur mundësinë më të mirë për zgjedhjen e presidentit të Republikës… Marrëveshja LDK-LVV bën fjalë për marrëveshje LDK-LVV, nuk bën përtej neve. Ne nuk jemi duke dalë me bërë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për me i dhënë emër edhe mundësi dikujt tjetër… Ne jemi të ftuar për me gjetur mundësi që me dhënë emrin për president. Ne jemi ftuar. Nuk i kemi ftuar ne në takim kërkënd. Ne jemi të ftuar dhe ne kemi marrë pjesë në çdo takim dhe jemi duke marrë pjesë në çdo takim. Unë uroj që kjo vonesë në zgjedhjen e presidentit të kalojë sa më shpejt në mënyrë që me u pa së paku a po shkon vendi prapë në zgjedhje, sepse këto zgjedhje janë paralajmërim edhe i zgjedhjeve të tjera”, thotë ai.

Sipas tij, LDK-ja këmbëngul që në takimet e shefit të saj me Kurtin duhet të flitet për të gjetur një zgjidhje në lidhje me ngërçin për presidentit, në të cilën partia e tij luan rol qendror.

Haziri la të kuptohet se në këto negociata, pos çështjes së presidentit, kooperimi me Vetëvendosjen duhet të zgjerohet edhe për bashkëqeverisje

Haziri tha se në takimet e deritashme Kurti-Abdixhiku, i pari nuk i ka kërkuar të dytit të propozojë ndonjë kandidat për president. Sipas tij, një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse arrihet marrëveshja në parim me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pyetjes se a është Lumir Abdixhiku kandidati potencial i LDK-së për president, Haziri iu përgjigj duke thënë se në LDK është kulturë politike që proceseve t’u prijë kryetari.

Nënkryetari i LDK-së mohoi që në bisedimet Abdixhiku-Kurti u diskutuan edhe skenarë tjerë që implikojnë pozitën e kryeparlamentarit. Sipas tij, nëse hyhet në këto negociata, atëherë vihet në lojë edhe posti i kryeministrit.

Ai deklaron se LDK-ja nuk po angazhohet për zgjedhje të reja, derisa tregon se a mund të jenë zgjidhje ato./KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sukses i jashtëzakonshëm për klubin anglez, i udhëhequr nga…