Hudhet pjesërisht aktakuza ndaj Pal Lekaj

24 korrik 2018 | 11:12

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka hudhur pjesërisht aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 10 prill 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, duke e ngarkuar me dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të përvetësimit në detyrë.

Gjykata Themelore e Gjakovës e ka konfirmuar aktakuzën sa i përket veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, derisa e ka hedhur aktakuzën për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” është thënë se sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndaj të akuzuarit Pal Lekaj, provat që i janë bashkangjitur aktakuzës nga ana e prokurorisë janë të pranueshme dhe qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën e shqyrtimit kryesor.

Ndërsa sa i përket veprës penale të përvetësimit në detyrë, kjo gjykatë e ka hudhur poshtë këtë pikë të aktakuzës në mungesë provash.

Kjo gjykatë e ka konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim lidhur me subvencione edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, Ismet Isufi, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi dhe Veli Hadaraga.

E njëjta gjykatë e ka hedhur aktakuzën për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare edhe ndaj Ismet Isufit, Pashk Sylës, Bekim Sylës, Teuta Mejzinit dhe Dafina Thaqit.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Behxhet Shala ka thënë të dielën se tashmë…