Hisen Berisha ditën e parë të fushatës e nis në shtabin elektoral të PDK-së në Gjakovë

17 dhjetor 2025 | 13:58

“Ditën e parë të hapjes zyrtare të fushatës elektorale e nisa aty ku fitorja konceptohet, strukturohet dhe komandohet, në shtabin elektoral të PDK-së në Gjakovë”, ka shkruar në Facebook kandidati për deputet i PDK-së me numër 67, Hisen Berisha.

“Në doktrinën ushtarake, shtabi është truri i betejës, pra është vendi ku analiza shndërrohet në vendim, ku vendimi bëhet plan, e plani kthehet në veprim në terren. Po kështu, është edhe shtabi elektoral, qendra e gravitetit të fitores.
Aty maten forcat, koordinohen njësitë, mobilizohet energjia njerëzore e logjistike dhe përcaktohet ritmi i marshimit drejt qëllimit final”, ka shkruar ai.

Berisha ka theksuar se Gjakova nuk është thjesht një qytet në hartë. “Është simbol qëndrese, sakrifice dhe dinjiteti kombëtar. Është tokë që ka ditur të ngrihet kur historia ka kërkuar përgjegjësi, dhe që sot, me po atë vetëdije, po rreshtohet për betejën demokratike të 28 dhjetorit.
Në këtë qytet, fjala “fitore” nuk është slogan, por është kujtesë, është përvojë, është obligim”, ka theksuar Berisha.

Ai ka theksuar se takimi në shtabin e fitores në mes kandidatëve për deputetë dhe anëtarët e shtabi në krye me Gani Hajdari, ishte më shumë se një vizitë formale. “Ishte sinkronizim vizioni dhe vendosmërie, mes njerëzish që e dinë se fitorja nuk dhurohet, por fitohet, me disiplinë, organizim dhe besim në mision”.

“Deklarata ime para shtabistëve ishte e qartë dhe pa ekuivoke, PDK hyn në këtë fushatë për të fituar. Për të rikthyer qeverisjen me përgjegjësi. Për ta vendosur Kosovën në binarë sigurie, zhvillimi dhe dinjiteti shtetëror”.

“28 Dhjetori nuk është vetëm datë zgjedhjesh, është ditë vendimi. Është momenti kur qytetarët e Kosovës do të flasin me votë për të ardhmen e tyre. Dhe Gjakova, si gjithmonë, do të jetë në anën e duhur të historisë. Me organizim të fortë, me frymë fitoreje dhe me besim të palëkundur, PDK marshon drejt fitores së madhe. Për Gjakovën. Për Kosovën. Për shtetin – bashkë përpara!
#HisenBerisha67 #BedriHamza1 #PDK130”, ka shkruar Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Financave dhe kandidati për deputet nga…