Hisen Berisha: Familja Dautaj, simbol i sakrificës dhe vazhdimësisë së amanetit të lirisë
Vajza e dëshmorit Arif Dautaj, ka pranuar në emër të familjes Dautaj, mirënjohjen e ndarë nga Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare, me seli në Stuttgart, përmes kryetarit të Bashkisë së Tropojë, Rexh Byberaj. Kjo mirënjohje për dëshmorin Arif Shpend Dautaj, të rënë në luftën për liri që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës për lirinë e Kosovës, është më shumë se një vlerësim formal, është një dëshmi se sakrifica për atdheun nuk harrohet dhe se gjaku i derdhur për liri mbetet themel i shtetit dhe i kujtesës sonë kombëtare.
Në lidhje me ketë ka shkruar në “Facebook” ish deputeti dhe gjenerali në pension Hisen Berisha.
Ai ka theksuar se sot, kur nderohen dëshmorët dhe luftëtarët e trevave të Malësisë, ne të gjithë ndihemi krenarë për familjet e dëshmorëve, si familja Dautaj.

E nderuara Doktoreshë dhe vëlla i armës Florent Dautaj,
Postimi juaj nuk është vetëm një falënderim për një mirënjohje institucionale, në vlerësimin tim është një dëshmi e gjallë e një tradite të rrallë atdhetare që mban emrin familjar Dautaj. Familja juaj, ashtu si të gjitha familjet e oxhaqet e malsis, përfaqëson një kod gjenetik të trashëguar brez pas brezi, sakrificën për identitet kombëtar, dinjitet dhe liri.
Me shpërthimin e luftës për lirinë e Kosovës, me pushkët e para të Adem Jashari në Prekaz, Dëshmori Arif Dautaj, Dëshmori Qazim Dautaj dhe pothuajse të gjithë djemtë e burrat e kësaj familjeje e fisi, u rreshtuan në frontin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e nisur betejën nga njëra anë e kufirit për ta përfunduar me fitore e liri të Kosovës.
Kjo ishte doktrina e luftës që u mishërua në betejën e lavdishme të Koshares për heqien me forcën e armës të kufirit padrejtësisht ndarës dhe bashkimi në idealin e lirisë.
Pas rënies së Dëshmorit Arif Dautaj, zjarri i armës së tij nuk u shua, ai u trashëgua nga i biri, Florent Dautaj, i cili u rreshtua krah korifenjve të shquar të luftës për liri si Sali Çekaj, Agim Ramadani dhe shumë vëllezërve të armës, luftëtarë e komandantë të shquar, që bënë historinë e sakrificës për liri e dinjitet kombëtar.
Por misioni i Florentit nuk përfundoi me armë në dorë. Nëse në robëri puna e tij ishte lufta për liri, në paqe lufta e tijë mbetët puna në ndërtimin e vlerave të lirisë. Ai përfundoi studimet në ekonomi dhe, i veshur me uniformën e shtetit, vazhdoi shërbimin ndaj vendit, duke mos e ndalur për asnjë çast kontributin në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve identifikuese të shtetësisë së Kosovës.
Kjo është vazhdimësia e vërtetë e amanetit, nga fronti i luftës në frontin e shtetndërtimit.
Sot, kur nderohen dëshmorët dhe luftëtarët e trevave të Malësisë, ne të gjithë ndihemi krenarë për familje si Dautaj, Sinani, Breqani, Cara, Qelaj, Kuçana, Këetoçi, Doçi, Rrahmani, Vatoci, Kuca, Demaj, Dushaj, Tushi, Memia, Trezhnjeva, Dahri, Lata, e shumë tjera që mund tu ngelem borxh, familje që nuk e kanë parë luftën si episod, por si mision historik.
Amaneti i Dëshmorit Arif Dautaj nuk u përjetësua vetëm në pushkë, por në rritjen, edukimin dhe sukseset akademike të vajzave, të djalit veteran invalid luftëte, të mbesave e nipave, histori suksesi që dëshmojnë se sakrificën për liri po e shpërblejnë me dije shkencore, shtetndërtim dhe dinjitet.
Familja Dautaj, mbetet simbol i mosdorëzimit, e rrënjosur në traditë, e kalitur në sakrificë dhe e ngritur në vlera.
Ju nderojmë për dinjitetin me të cilin e mbani këtë trashëgimi dhe për mënyrën se si e ktheni dhimbjen në forcë, e sakrificën në arritje.
Lavdi dëshmorëve.
Nderim përjetë familjes Dautaj dhe të gjitha familjeve të luftëtarëve, deshmorëve dhe heronjëve.



