Hoti flet pasi u propozua nga Kurti për ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale
Pasi Albin Kurti e prezantoi si emrin e tij për ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti ka shprehur mirënjohjen e tij për vlerësimin dhe besimin për ta udhëhequr këtë dikaster, teksa thekson se puna në institucione nuk është privilegj por detyrë dhe shërbim ndaj qytetarëve.
Shkrimi i plotë i Hotit:
Puna në institucione nuk është privilegj, por detyrë shërbimi ndaj qytetarëve.
Pavarësisht që sot nuk u arrit të formohet Qeveria e re, ky është një realitet politik që duhet pranuar me qetësi dhe përgjegjësi.
Pa dashur të përfshihem në debatet politike apo atmosferën e krijuar në vend, më vjen keq që ende na mungon vetëdijesimi për veprim të unifikuar në shërbim të interesave shtetërore e kombëtare.
Jam mirënjohës për vlerësimin dhe besimin që më është dhënë për të udhëhequr një dikaster kaq të rëndësishëm si Ministria për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, pjesë e kabinetit qeveritar të z. Kurti, një ministri që përfshin kategoritë më të ndjeshme sociale në Republikën e Kosovës.
Ky është vendim i imi, i menduar mirë dhe i bazuar në rrethanat aktuale.
Përgjegjësia për njerëzit do të mbetet e pandryshuar, ashtu si edhe përkushtimi ndaj punës dhe ndaj vendit tonë.
Duke e parë politikën si mjet shërbimi dhe jo përfitimi, aty ku jam, aty ku do të jem, dhe aty ku më besohet puna ime, do të vazhdoj të jem në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që na bashkojnë.




