Hoti godet LV-në për marrëveshjet me BE-në dhe ShBA-në, paralajmëron ndëshkim më 7 qershor

12 maj 2026 | 10:54

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se më 7 qershor qytetarët do të votojnë pro partneritetit strategjik të Kosovës me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Hoti ka nënvizuar dy marrëveshje të cilat i ka cilësuar historike për partneritetin afatgjatë të Kosovës: Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe atë të Uashingtonit.

Ai ka theksuar se këto partneriteti nuk janë vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, por edhe ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të vendit dhe shqiptarëve.

“Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të votojnë PËR partneritetin strategjik të Kosovës me BE dhe SHBA. Ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Hoti nuk la pa akuzuar edhe partinë në pushtet, Vetëvendosjen.

“Të dyja këto marrëveshje janë kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Për të parën, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në votim në Kuvendin e Kosovës kur është ratifikuar. Megjithatë, sot Lëvizja Vetëvendosje e zbaton dhe krenohet me atë marrëveshje. Ndërkaq, të dytën, Marrëveshjen e Uashingtonit, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar në Kuvend dhe jashtë Kuvendit dhe e ka quajtur antikushtetuese. Për më tepër, ka adresuar kritika ndaj administratës amerikane të atëhershme të udhëhequr nga presidenti Trump, sjellje kjo në kundërshtim me kodin diplomatik që Kosova kishte ndjekur gjithmonë karshi aleatëve strategjikë. Më vonë, kur presidenti Trump u kthye sërish në krye të administratës amerikane, filluan lajkat nga qeveritarët e Kosovës. Por ishte vonë, pasi projekti i gazit ishte anuluar nga Qeveria e Kosovës, përpjekje për realizim të projekteve infrastrukturore nuk ishin bërë, nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për thellimin e partneritetit ekonomik në fushën e investimeve dhe qasjes në tregjet financiare amerikane”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë  e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje…