Hoti i reagon presidentes Osmani: Deklarimi i saj është për keqardhje
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila ka folur rreth çështjeve të cilat presin shqyrtimin në Kuvend.
Hoti thekson se deklarimi i presidentes Osmani është për keqardhje.
“Deklarimi i sotëm i të parës së shtetit lidhur me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës është për keqardhje. Ajo e di se për t’u shqyrtuar ato çështje në Kuvendin e Kosovës duhet detyrimisht të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet. Duke qenë se e di këtë, që është e kuptueshme për secilin, ajo po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Bile i fton edhe mediat që të bëjnë presion tek partitë politike. Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka thënë se në anën tjetër, ajo e ka aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e thotë qartë se anëtarët e qeverisë të betuar si deputetë janë duke mbajtur postet qeveritare në mënyrë joligjore. “Për këtë nuk e thotë asnjë fjalë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve. Kaq për moralin politik të saj. Mjerim”, ka shkruar Hoti.



