Hoti kërkon mobilizimin e komunave për luftimin e pandemisë Covid-19

06 korrik 2020 | 13:53

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pati sot një bashkëbisedim (në formë elektronike) me Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjatë të cilit ai ua prezantoi kryetarëve të komunave të Kosovës masat e reja që janë ndërmarrë me qëllim të parandalimit dhe menaxhimit të pandemisë Covid-19.

Hoti mori përkrahje të plotë nga kryetarët e komunave për masat që ka marrë Qeveria e Kosovës pas shtimit të rasteve të të infektuarve me Covid-19, të cilët theksuan gatishmërinë e plotë të tyre për t’i bashkërenduar të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që situata e krijuar të përballohet sa më mirë.

Kryeministri Hoti tha se, pas konsultimit intensiv me ekspertët dhe me drejtuesit e institucioneve kryesore shëndetësore të vendit, si dhe duke i respektuar me përpikëri protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për masat e luftimit të pandemisë Covid-19, me të cilin ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore që t’i rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për t’i trajtuar rastet e prekura me Covid-19.

“Kemi paraparë mobilizimin e stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht. Në veçanti, do të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet Covid-19”, tha kryeministri Hoti duke kërkuar, me këtë rast, nga kryetarët e komunave që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për riaktivizimin e Shtabeve emergjente komunale për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Po ashtu, kryeministri Hoti theksoi se qeveria do të sigurojë ndarjen e buxhetit për angazhimin e personelit shëndetësor shtesë dhe për pajisjet mbrojtëse të personelit shëndetësor.

“Nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, kemi ndaluar çfarëdo qarkullimi të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste urgjente shëndetësore, sepse ekspertët e shëndetësisë këto komuna i kanë vlerësuar si vatrat më të prekura nga Covid-19”, tha kryeministri Hoti, duke kërkuar bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes të Qendrës së Situatave dhe Shtabeve komunale të menaxhimit të pandemisë Covid-19, të cilat duhet të riaktivizohen me kapacitet të plotë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të kryetarëve të komunave të Kosovës, të cilat kryesisht ndërlidheshin me përgjegjësitë dhe autorizimet e inspektorateve sanitare dhe me numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve komunalë sanitarë, kryeministri Hoti tha se komunat mund të angazhojnë, sipas nevojave të tyre, inspektorë shtesë, të cilët duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e parapara ndaj personave fizikë dhe juridikë, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave, sipas kompetencave që ua japin ligjet në fuqi.

Ndërsa, sa i përket rifillimit të procesit mësimor në institucionet shkollore, në muajin shtator, kryeministri Hoti ritheksoi se Qeveria e Kosovës do t’u përmbahet protokollove të OBSH-së dhe me kohë do të dalë me qëndrim për këtë çështje.

Gjithashtu, duhet të theksohet se shumica e kryetarëve të komunave shtruan si shqetësim procedurat e testimit për Covid-19, ndërsa kryeministri Hoti i njoftoi ata se Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të mundësojë decentralizimin e këtij procesi, nëpërmjet licencimit të institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për Covid-9, në përputhje me ligjet në fuqi.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muzeu me famë botërore Louvre në Paris është rihapur sot…