Hoti: Kjo Qeveri nuk di dhe nuk duhet të udhëheq

14 mars 2018 | 11:23

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka sqaruar pse kjo parti ka kërkuar debat parlamentar lidhur me raportin e 100 ditëve të qeverisjes së Ramush Haradinajt.

“Raporti për 100 ditët e qeverisjes u prezantua me pompozitet, kemi pritur që ky debat të kërkohej nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kryeministri po i ik përballjes me deputetët. E vetmja mënyrë për të debatuar është përmes interpelancave dhe debateve që po shtyhen prej pozitës”, ka thënë Hoti.

Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ky debat është kërkuar për 100 ditët e qeverisjes, por që sot duhet të diskutohet për 188 ditë të qeverisjes.

Ai ka përmendur ato që ka premtuar Qeveria Haradinaj dhe që sipas tij, nuk i ka realizuar.

“Po e nisi nga premtimet. Koalicioni është themeluar për punë të mëdha. Zotimi se kufiri do të vendoset në Çakorr dhe Kullë, rritja e pagave dhe pensioneve, rifunksionalizimi i ‘Trepçës’, gjetja e zgjedhjes për pensionistët, rregullimi i problemit me energjinë. Të gjitha këto kanë mbetur në fushatë. Në vend të realizimit të punëve të mëdha, kryeministri është kujdesur të emërojë 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe 70 zëvendësministra”.

“Ka urdhëruar ministrin e Arsimit të shkarkojë bordin e AKA-së dhe kemi debatuar për pasojat e këtij vendimi. Ka dyfishuar pagën për vete dhe bartësit e tij por që u detyrua që të pezullojë këtë vendim, nga presioni i opozitës. U përfshi direkt në shpronësimin në Hade dhe Shipitullë, importet nga Serbia u rritën për 50 për qind, bordi i ‘Trepçës’ nuk u funksionalizua”, ka thënë Hoti, raporton “Klan Kosova”.

Ai ka thënë se në 188 ditë qeverisje, Qeveria ka shpenzuar 5.6 milionë euro nga rezerva shtetërore”.

Më tutje, ai ka thënë se Qeveria duhet të bie dhe sa më parë të shkohet në zgjedhje.

“Ftoj që të bëhemi të gjithë bashkë, të marrim vendime të mëdha dhe të organizojmë sa më parë zgjedhje të lira. Të bëhemi bashkë që ta ruajmë këtë vend nga kjo Qeveri, të bëhemi bashkë që të kthejmë normalitetin te institucionet e vendit”, ka deklaruar Hoti.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, i…