Hoti: Kushtetuesja duhet t’i zgjidhë problemet politike që i ka krijuar vetë

29 korrik 2025 | 15:37

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë dhe nuk duhet ta zgjidhë çdo problem politik.

Sipas tij, ajo duhet të zgjidhë, para së gjithash, ato probleme politike që i ka krijuar vetë. “Me aktgjykimin e vitit 2014, i cili citohet edhe në aktgjykimin e datës 26 qershor 2025, duke ia njohur partisë së parë të dalë nga zgjedhjet të drejtën absolute për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese e ka kurthuar procesin e konstituimit të Kuvendit duke shkelur dy parimet fundamentale të demokracive parlamentare. E para, ka shkelur parimin e dominimit të shumicës. Si rregull bazë, në demokracitë parlamentare, duke vepruar në kuadër të frymës kushtetuese, shumica gjithmonë vendos. Aktgjykimi i vitit 2014 e ka shkelur këtë parim, duke ia dhënë të drejtën vetëm partisë së parë të propozojë kryetarin e Kuvendit, pavarësisht se ajo parti nuk e ka siguruar shumicën parlamentare. Si rezultat, mund të jenë 80 deputetë, mjaftueshëm për të ndryshuar edhe Kushtetutën, që mbështesin një kandidat të caktuar, por e kanë të pamundur të votojnë pa vullnetin e pakicës për të propozuar atë kandidat”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Hoti ka theksuar se aktgjykimi i vitit 2014 ka shkelur parimin kushtetues sipas të cilit mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar. “E dyta, aktgjykimi i vitit 2014 ka shkelur parimin kushtetues sipas të cilit mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar. Duke ia njohur të drejtën absolute partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar këtë parim kushtetues. Deputeti nuk është i lirë në ushtrimin e mandatit pasi mund të votojë vetëm propozimin që vjen nga partia e parë. Kjo krizë politike, e krijuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të zgjidhet për të dalë nga ngërçi aktual politik, si dhe për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen”, ka shkruar Hoti, duke se Kushtetuesja duhet ta kthej seancën në pikën e rendit të ditës ku është ndryshuar nga kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari.

“Zgjidhja është e qartë: sikurse me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, i pari që del nga zgjedhjet – apo siç njihet, fituesi relativ – e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, e më vonë edhe të mandatarit për formimin e Qeverisë, në mënyrë automatike. Por kjo e drejtë automatike duhet të jetë e kufizuar në kohë. Pas një afati të arsyeshëm kohor, siç është përcaktuar në rastin e zgjedhjes së Qeverisë, e drejta i kalon kujtdo që arrin të formojë shumicën parlamentare.

Një zgjidhje e tillë është: (i) brenda frymës kushtetuese, (ii) në përputhje me parimet elementare të funksionimit të demokracive parlamentare, si dhe (iii) në linjë me praktikat e shumë vendeve evropiane. Edhe nëse, siç po komentohet këto ditë nga disa njohës të çështjeve kushtetuese, Gjykata Kushtetuese vendos ta kthejë seancën konstituive në datën kur, në mënyrë jokushtetuese dhe arbitrare, është ndërruar rendi i ditës nga ana e Kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, sërish duhet të zbatohet parimi bazë kushtetues: shumica vendos. Fituesi relativ i zgjedhjeve mund ta shfrytëzojë të drejtën e tij brenda një afati të arsyeshëm kohor, pas të cilit afat e drejta i kalon kujtdo që arrin të formojë shumicën në Kuvend. Vetëm një zgjidhje e tillë respekton parimin e shumicës dhe mandatin e pakushtëzuar e të lirë të deputetit”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka…