
Hoti: Mora mbështetjen e AShAK-ut për dialogun me Serbinë
Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se ka morr mbështetje të fuqishme nga Akademia për qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces.
Pas prezantimit të kornizës se qeverisë për procesin e dialogut para anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Hoti ka vlerësuar se Kosovë i duhet konsensus në këtë proces.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se po punon për arritjen e këtij qëllimi.
Postimi i plotë i Hotit:
Procesi i dialogut me Serbinë duhet të zhvillohet duke e patur një konsensus të brendshëm shtetëror, ndërsa imperativ për të arritur këtë objektiv është bashkëpunimi dhe transparenca e plotë.
Në kuadër të shpalosjes së kornizës për procesin e dialogut, sot kam takuar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nga të cilët mora mbështetje të fuqishme për qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces.
Po ashtu, kam filluar takimet edhe me partitë politike dhe në bashkëpunim me vendet e Kuintit dhe të gjithë partnerët e tjerë vendas, do të punojmë për arritjen e objektivave tona të përbashkëta.
(M.K / Epoka e re)