Hoti: Nëse s’ka vullnet për zgjedhjen e presidentit, shkojmë në zgjedhje

24 nëntor 2020 | 11:15

Kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni qeverisës nuk i ka 80 vota në Kuvend për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Madje, për të siguruar votat që do të çonin në përcaktimin e një presidenti të ri të vendit, sipas Hotit, është i nevojshëm diskutimi me partitë parlamentare opozitare.

“Është mese e qartë se vendi s’ka president edhe në bazë të Kushtetutës ne duhet ta zgjedhim presidentin e ri. Për zgjedhjen e tij duhen së paku 80 vota në Kuvend, të cilat vota sigurisht ky koalicion qeverisës nuk i ka. Që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka dakordim për zgjedhjen e presidentit, të cilën gjë shpresoj se do ta bëjmë së shpejti”, ka thënë ai në një intervistë për “Klanin” e Maqedonisë.

Në këtë drejtim, Hoti ka thënë se nëse nuk ka vullnet për zgjedhje të presidentit, Kosova do të shkojë në zgjedhje.

“Nëse s’ka dakordim të tillë, atëherë sigurisht duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, sigurisht një datë e përshtatshme për qytetarët”, ka thënë Hoti, duke shtuar se janë dy rrugë kushtetuese që do të ndiqen deri në një rezultat final.

“Unë besoj se shpejt do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema. Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim”.

“Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhje. Tjetër opsion nuk ka”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Prokurorit në Dhomat e Specializuara ka paraparë që…