Hoti: Projektet e premtuar nga kjo qeveri nuk janë realizuar, kjo qeveri po mashtron qytetarët
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo qeveri po e mashtron veten dhe publikun me buxhet të madh të planifikuar për investime kapitale.
Ai ka thënë se shifrat e larta të buxhetit po përdoren vetëm për krekosje me rastin e miratimit të buxhetit në Kuvend.
“Kur po vjen koha për të raportuar në Kuvend për realizimin e buxhetit, asnjë anëtar i qeverisë nuk del para deputetëve dhe qytetarëve të përgjigjet për dështimet në realizimin e projekteve. Në gjashtë vitet e fundit, realizimi i investimeve kapitale ka qenë tejet i ultë. Asnjë nga projektet e mëdha kapitale të trashëguara nga qeveritë paraprake dhe të nisura para vitit 2021 nuk është realizuar, përfshirë këtu autostradën e Gjilanit, rrugën për Pejë, rrugën për Mitrovicë, rrugën për Podujevë, rrugën Dollc-Gjakovë, rrugën Prizren-Gjakovë etj”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka thënë se as projektet e premtuar nga kjo qeveri nuk janë realizuar, përfshirë këtu: rrugën dhe tunelin Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës, aeroportin e Gjakovës, çerdhet për fëmijë, banesat sociale, digat për akumulime dhe projekte të tjera.
“Kështu që, askush nuk beson më në shifrat e larta të investimeve kapitale të parapara në buxhetin e vitit 2027. Realizimi i buxhetit për investime kapitale ka mbetur i ulët edhe pse procedurat e prokurimit janë kryer në shumë raste përmes negocimit, siç dëshmohet me qindra e mijëra tenderë njëburimorë apo me negocim. Pasojat ekonomike dhe sociale nga mosrealizimi i projekteve kapitale po i bartim të gjithë. Kolonat e gjata nëpër rrugë në ndërtim e sipër tash e gjashtë vite po i kushtojnë secilit kohë dhe shpenzime. Mosrealizimi i investimeve kapitale e kanë lënë ekonominë e Kosovës pa qindra miliona euro në qarkullim, mjete që do të krijonin efekte zinxhirore pozitive në ekonomi”, ka deklaruar ish-kryeministri Avdullah Hoti.



