Hoti shpërblen me sete librash nxënësit në Novobërdë

24 janar 2020 | 16:47

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, u ka dhuruar 187 sete librash në vlerë prej 50 eurosh nxënësve në Komunën e Novobërdës.

Të gjithë këta nxënës ishin fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë.

Me rastin e ndarjes së shpërblimeve, Hoti ka theksuar rëndësinë e garës sidomos në komunat me shumicë serbe.

“Për herë të parë në Kosovë ne kemi shpallur 44,723 fitues prej një procesi garues nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Është angazhuar një armatë njerëzish që sot të kemi gjithë këta nxënës fitues që marrin shpërblime. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur që ju dhuroj librat si shpërblim të mundit tuaj. Mos harroni se arsimi dhe edukimi është ajo që ju lartëson dhe është shkallë për të ngjitur majat e suksesit, andaj vazhdoni të ngjiteni sa më lartë”, ka thënë ai.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Bajrush Ymeri. “Është nder të jem sot në mesin tuaj në këtë ceremoni të ndarjes së shpërblimeve. Dëshiroj ta falënderoj z. Hoti për organizimin e këtyre garave sepse e di që janë mirëpritur dhe kanë qenë nxitëse. Unë kam përcjellë aktivitetet tuaja edhe në komuna tjera dhe kam parë se keni dhënë shpërblime që janë motivuese për nxënësit”, ka thënë Ymeri.

Jordanka Dordeviq, drejtoreshë e arsimit në Novobërdë, ka falënderuar nxënësit dhe koordinatorin Hoti. “Kam kënaqësinë që jam sot këtu me ju për shpërndarjen e librave pas mbajtjes së garave. I falënderoj këta nxënës që kanë qenë pjesë e garës si dhe koordinatorin Hoti pa të cilin nuk do të ishim sot këtu sidomos për mbështetjen që ka dhënë. Të nderuar nxënës, puna juaj sot po shpërblehet dhe unë ju uroj shumë suksese në të ardhmen”, ka thënë Dordeviqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca i ka vënë syrin Zinedine Zidaneit për të zëvendësuar…