Mes përgjegjësisë dhe pasionit

24 prill 2026 | 16:15

Shkruan: Mursel Sh. Murseli

Jeta shpesh na vendos përpara rrugëve që kërkojnë përkushtim dhe qëndrueshmëri. Profesioni është njëra prej tyre. Ai kërkon disiplinë, përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm. Është pjesa e jetës që ndërton sigurinë tonë, që na lidh me realitetin dhe na jep mundësinë të kontribuojmë në shoqëri.

Por, përtej kësaj bote të rregullt dhe të domosdoshme, ekziston një tjetër hapësirë – më e qetë, më e thellë, më personale. Ajo është krijimtaria.

Të merresh me krijimtari nuk është detyrim. Është një thirrje e brendshme, një nevojë që nuk lind nga jashtë, por nga vetë shpirti i njeriut. Ajo nuk matet me orë pune, as me rezultate të menjëhershme. Ajo lind në heshtje, rritet në mendim dhe merr formë në fjalë.

Në këtë kuptim, krijimtaria bëhet një lloj ekuilbri i brendshëm ajo i jep njeriut mundësinë të shprehet përtej kufijve të profesionit, të prekë botën e ndjenjave, të kujtesës dhe të përjetimit personal. Është një mënyrë për të mbajtur gjallë atë pjesë të vetes që nuk lidhet me detyrimin, por me lirinë.

Kjo bëhet edhe më e theksuar kur njeriu jeton dhe vepron larg vendlindjes. Mërgimi nuk është vetëm një ndryshim vendi; është një përvojë që prek thellë mënyrën se si njeriu e ndjen dhe e kupton jetën. Largësia krijon boshllëk, që nuk mbushet lehtë dhe pikërisht aty, krijimtaria gjen vendin e saj.

FIDANISHTJA

Në mërgim, fjala nuk është vetëm shprehje. Ajo bëhet urë. Një lidhje e padukshme mes së kaluarës dhe së tashmes, mes vendit që ke lënë dhe jetës që po ndërton. Përmes saj, kujtimet marrin formë, ndjenjat gjejnë zë dhe shpirti gjen një lloj qetësie.

Ndërsa profesioni e mban njeriun të lidhur me realitetin e përditshëm, krijimtaria e mban të lidhur me vetveten. Këto dy rrugë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, plotësojnë njëra-tjetrën. Njëra ndërton jetën, tjetra i jep asaj kuptim më të thellë.

Në fund, njeriu nuk është vetëm ajo që bën, por edhe ajo që ndjen dhe që shpreh. Dhe kur këto dy botë bashkohen – përgjegjësia dhe pasioni – atëherë lind një harmoni e brendshme që e bën rrugën e jetës më të plotë.

Mes përgjegjësisë së profesionit dhe pasionit për krijimtarinë, gjeta hapësirën time shpirtërore, aty ku fjala u bë strehë, kujtesë dhe vazhdimësi. Deri më sot, kjo rrugë më ka dhuruar tre libra, ndërsa i katërti pret të shohë dritën e botimit.

*Autori jeton dhe vepron prej vitesh në mërgim. Krahas angazhimeve profesionale, ai i është përkushtuar krijimtarisë letrare, duke botuar tre libra, ndërsa i katërti është në prag botimi. Eseja është një reflektim mbi jetën, krijimtarinë dhe përvojën e mërgimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës organizon kursin e radhës për…