Hoti: Të respektohet vendimi i Kushtetueses për rrugën afër Manastirit të Deçanit

16 gusht 2020 | 13:16

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën “R108”, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Sipas një komunikate të Qeverisë, është thënë se Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë sipas tij duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, kryeministri Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi”.

“Kryeministri Hoti rithekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për t’i ruajtur dhe për t’i respektuar objektet sakrale si një vlerë e përbashkët e trashëgimisë së pasur shpirtërore të Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria shqiptare ka arritur marrëveshjen me palën greke që Dogana…