Hovenier: Thellësisht të shqetësuar për situatën në veri

29 maj 2023 | 11:55

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se bashkësia ndërkombëtare është “thellësisht e shqetësuar” për situatën në veri të Kosovës.

Pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ai tha për mediat në Prishtinë se me të parën e vendit ka ndarë “shqetësimin për mundësinë e dhunës dhe nevojën për të shtensionuar situatën”.

Hovenier më herët gjatë 29 majit u takua me krerët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, dhe i pranishëm në këtë takim ishte edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar. E përsëris, nuk është mister që Qeveria amerikane dhe qeveritë e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë, prandaj biseda jonë me kryetarët ishte se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, siç pritet nga ta dhe siç ne duam që ata të veprojnë, por në një mënyrë që tregon se ata janë të përkushtuar për të qenë përgjegjës për të gjithë qytetarët, që për ne tani nënkupton moshyrjen në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”, tha Hovenier.

Në takimin me ambasadorin amerikan morën pjesë vetëm kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovisë së Veriut, Erden Atiq, dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë.

Hovenier tha se të dy kishin pranuar ftesën për takim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, ka…