Ismet Beqiri kritikon gjendjen në LDK: Ata që e ndërtuan partinë sot po shpërfillen

14 nëntor 2026 | 19:53

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohen njerëzit që kanë kontribuar ndër vite në ndërtimin dhe fuqizimin e kësaj partie.

Përmes një reagimi publik, Beqiri ka theksuar se të qenit pjesë e LDK-së nuk nënkupton heshtje përballë gabimeve dhe pajtim të pakushtëzuar me çdo vendim, por guxim për të kritikuar dhe kërkuar përgjegjësi.

Ai ka vlerësuar se është e dhimbshme që njerëzit që kanë dhënë kontribut për LDK-në, veçanërisht në periudhat më të vështira, sot po shpërfillen dhe po lihen anash.

Beqiri ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, nuk kanë dhënë kontribut të mirëfilltë për partinë, por sot marrin guximin t’u japin leksione atyre që janë pjesë e historisë së saj.

“Para se të gjykosh kontributin e dikujt tjetër, pyete veten çfarë ke bërë ti për LDK-në?”, ka shkruar Beqiri.

Në reagimin e tij, ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka shprehur shqetësim edhe për atë që e ka cilësuar si heshtje të vetë partisë, duke theksuar se LDK-ja, e cila dikur kishte zë, qëndrim dhe ndikim në zhvillimet politike, sot shpesh duket se ka humbur guximin për të reaguar.

Ai ka rikujtuar rolin historik të LDK-së në shtetndërtimin e Kosovës, por ka theksuar se meritat e së kaluarës nuk mund të shërbejnë pafundësisht për të justifikuar dobësitë dhe dështimet e së tashmes.

“Nuk mund të flasësh për bashkim duke i larguar ata që e ndërtuan LDK-në. Nuk mund të kërkosh respekt duke mos respektuar kontributin e të tjerëve. Dhe nuk mund të pretendosh ndryshim, nëse nuk ke guximin të ndryshosh vetë”, ka theksuar ai.

Në fund të reagimit, Beqiri ka nënvizuar se LDK-së nuk i mungojnë njerëzit me kontribut, historia dhe vlerat, por, sipas tij, i mungon guximi për ta dëgjuar kritikën, për ta respektuar kontributin dhe për ta përballur realitetin.

“LDK-ja nuk duhet të jetë pronë e askujt, por shtëpi e të gjithë atyre që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për të”, ka përfunduar Beqiri.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA),…