Në gjashtëvjetorin e vdekjes, përkujtohet Labinot Aliaj, ish-asambleisti i PDK-së në Istog

14 nëntor 2026 | 18:07

Në varrezat e Istogut janë bërë sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së Labinot (Skënder) Aliajt, në gjashtëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Labinot Aliaj kujtohet për energjinë, përkushtimin dhe kontributin e tij si aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), asambleist në Kuvendin Komunal të Istogut, anëtar i bordit të KHF Istogu dhe një humanist i madh, shkruan “Epoka e re”

Me këtë rast, kryetari i degës së PDK-së në Istog, Ali Nimanaj, ka kujtuar Aliajn përmes një postimi në Facebook, duke vlerësuar gjurmët që ai la pas.

“Me respekt dhe mall, kujtojmë sot Labinot (Skënder) Alijajn, në përvjetorin e gjatë të ndarjes së tij nga jeta. Vepra, kujtimi dhe gjurmët që la pas do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ty, shoku Lab!”, ka shkruar Nimanaj.

Ndërkaq, me fjalë prekëse e ka kujtuar edhe motra e tij, Dhurata Aliaj, e cila ka shprehur mallin dhe dhimbjen për vëllanë.

“6 vite pa ty, Labush… E prapë, dhimbja mbetet po aq e rëndë, sikur të ishte dje. Ka mungesa që nuk i mbush as koha, as vitet. Ka dhimbje për të cilat fjalët nuk mjaftojnë dhe malli nuk shuhet kurrë. Do të na mungosh përherë, vëlla i dashur. Zoti të mëshiroftë dhe të shpërbleftë me Xhenet”, ka shkruar ajo.

Kujtimi për Labinot Aliajn do të mbetet i gjallë te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

KHF Istogu kujton Labinot Aliajn: Një djalë që e deshi dhe i shërbeu qytetit pa dallime

Klubi i Hendbollit për Femra (KHF) Istogu ka kujtuar Labinot Aliajn, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar kontributin, përkushtimin dhe dashurinë e tij për qytetin e Istogut.

Në një postim në Facebook, KHF Istogu e ka cilësuar Aliajn si njërin prej djemve më të mirë të qytetit, duke theksuar se ai ishte shembull i një qytetari që punonte në interes të Istogut dhe qytetarëve të tij, pa dallime politike apo fetare.

Sipas klubit, Labi e shihte angazhimin e tij në subjektin politik si mundësi për t’i shërbyer qytetit, ndërsa një qasje e tillë sot është e rrallë dhe shpeshherë duket e paarritshme.

KHF Istogu ka theksuar se Aliaj i mungon qytetit, bordit udhëheqës të klubit, shoqërisë dhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.

Megjithatë, klubi ka vlerësuar se kontributi, përkushtimi dhe vlerat që ai la pas do të mbeten shembull i një qytetari të përkushtuar dhe i një njeriu që e deshi shumë Istogun.

“U prehsh në paqe, Labi! Kujtimi për ty dhe vepra jote do të mbeten përherë në zemrat tona”, thuhet në mesazhin përkujtimor të KHF Istogut.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas barazimit pa gola të Kosovës me Izraelin, në rrjetet…