Vdekja e pacientes në Klinë, QKMF-ja: Shfaqi reaksion alergjik pas infuzionit
14 nëntor 2026
| 13:35
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Klinë ka dhënë sqarime lidhur me vdekjen e një pacienteje, gjendja e së cilës, sipas raportit të Policisë, u përkeqësua pasi mori trajtim aty.
QKMF-ja në profilin e saj në Facebook ka sqaruar se fillimisht pacientja ka marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili ka përshkruar terapi me infuzion, nga i cili dyshohet të ketë shfaqur reaksion alergjik. Sipas sqarimit, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është transferuar me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.
Bëhet e ditur se jJanë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë.
“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Siç potencon edhe QKMF-ja në Klinë, rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente.
“QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do t’u ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar. Duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF nuk do të bëjë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim relevant”, thuhet në njoftim.



