Hoxhaj: Kadriu sërish do të dalë fitimtar
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas seancës së parë gjyqësore të Kadri Veselit në Gjykatën Speciale.
Hoxhaj është shprehur i bindur se Veseli do të dalë fitimtar edhe në betejën me Gjykatën Speciale.
Në këtë kontekst, Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Kadri Veseli është mishërimi i vlerave më të larta njerëzore dhe atdhetare.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Miku im Kadri Veseli, sot u ngrit për ta mbrojtur të vërtetën e pandryshueshme të luftës legjitime të popullit tonë për liri e pavarësi. Kadriu është mishërimi i vlerave më të larta njerëzore dhe atdhetare.
Misioni e tij para, gjatë luftës dhe pas saj, është i jashtëzakonshëm, përherë në shërbim të çështjes kombëtare, dhe në veçanti të Kosovës së pavarur. Roli i tij në luftë dhe në paqe e ka bërë Ballkanin një rajon më të drejtë e të sigurt.
Durimi i tij i pakufishëm dhe karakteri i pathyeshëm janë vetitë me të cilën ai do të rrënojë muret e paragjykimeve, muret e akuzave të pabaza, muret e shpifjeve që të tjerët i kanë ndërtuar tash e disa dekada.
Kadriu sërish do të dalë fitimtar në këtë betejë të radhës së luftës së tij të gjatë për liri e pavarësi të Kosovës.



