Hoxhaj: Këtë vit përparësi duhet të ketë dialogu, jo zgjedhjet e reja

17 shtator 15:38

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka vlerësuar se aktualisht në Kosovë gjërat nuk janë duke shkuar në drejtimin e duhur. Ai ka thënë se për këtë përgjegjësinë e mbajnë pozita dhe opozita.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhaj ka thënë se partnerët e koalicionit dhe opozita duhet ta përfundojnë procesin e shtetndërtimit dhe kompletimin e sovranitetit të Kosovës.

Ai ka bërë me dije se është koha e fundit për arritjen e konsensusit politik për dialogun, duke bërë thirrje që elita politike të sillet me përgjegjësi shtetërore.

Hoxhaj ka vlerësuar se këtë vit përparësi duhet të ketë dialogu e jo zgjedhjet e reja. Sipas tij, përderisa Kosova është në proces të dialogut nuk duhet të ketë zgjedhje.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se nuk do të lejohet që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë karakter ekzekutiv dhe territorial

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, si e vlerësoni funksionimin e deritanishëm të koalicionit qeverisës?
Hoxhaj: Koalicioni qeverisës ka arritur t’i përmbushë disa prej pritjeve që ka pasur, para së gjithash, ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi si dhe vendimet që janë marrë deri më tani në Bruksel, përfshirë atë të Komisionit LIBE dhe të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, sikurse që ka miratuar tri projektligje sa i takon themelimit të ushtrisë së Kosovës dhe përmbylljes së tranzicionit të FSK-së. Duke pasur parasysh këto së bashku, me shumë vendime të tjera që i kemi marrë, mund të thuhet se ka qenë një funksionim i mirë mes partnerëve të koalicionit për përmbushjen e pritjeve që ka pasur gjatë kësaj kohe, meqë këto kanë qenë temat e madha. Ndërsa nuk dua të hyj në tema të tjera të cilat janë të karakterit të qeverisjes ditore.

“Epoka e re”: Pse gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur shtim të numrit të njohjeve dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare?
Hoxhaj: Nuk dua të merrem me atë se sa vende do të duhej ta njohin Kosovën meqë nuk jam ministër i Jashtëm. Por, një gjë mund ta them, se Kosova nuk duhet ta reduktojë politikën e vet të jashtme vetëm në raport me Serbinë përmes dialogut si instrument të saj. Të gjithë ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të sigurojmë njohje të reja, anëtarësim të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, forcim të marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme në botë si dhe avancim të pozicionit në raport me BE-në dhe NATO-n. Të gjitha këto janë në shërbim të ushtrimit sovraniteti dhe konsolidimit të shtetit.

“Epoka e re”: Por opozita dhe shoqëria civile po ju quajnë qeveri të skandaleve dhe shumicën prej vendimeve po i konsiderojnë si skandaloze?
Hoxhaj: Qeveria në çdo vend të botës kritikohet dhe në këtë drejtim e kuptoj gjuhën dhe sjelljen e opozitës. Përgjegjësia politike në çdo demokraci nuk është vetëm e koalicionit qeverisës, por edhe e opozitës. Mbi të gjitha, partnerët e koalicionit dhe opozita duhet ta përfundojnë një temë të madhe siç është përmbyllja e shtetndërtimit dhe kompletimi i sovranitetit të Kosovës. Fakti që për tri ditë me radhë kemi hyrë të ndarë në seancat e Kuvendit të Kosovës me dy projektrezoluta dhe me dy forume jofunksionale parlamentare pa arritur asgjë, flet për atë se gjërat në Kosovë nuk janë në drejtimin e duhur dhe për këtë përgjegjësinë e mbajnë partnerët e koalicionit dhe partitë opozitare. Prandaj, është koha e fundit që të krijojmë një konsensus politik për temën e dialogut si dhe është koha e fundit që të sillemi si një elitë politike me një përgjegjësi shtetërore, dhe përgjegjësia shtetërore nuk i takon vetëm qeverisë, por edhe opozitës.

“Epoka e re”: Si mund të funksionojë edhe më tutje ky koalicion qeverisës apo edhe ta çojë deri në fund mandatin duke pasur parasysh se gjatë këtyre 12 muajve në Kuvend është ballafaquar me mungesë të numrave dhe në shumicën e rasteve nuk e ka pasur as shumicën e thjeshtë prej 61 votave me ç’rast, në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbajtja e seancave.
Hoxhaj: Jo vetëm koalicioni qeverisës nuk i ka numrat, por as opozita nuk i ka numrat. Kemi mbetur të varur nga qëndrimi i Listës Serbe dhe kjo nuk është e shëndoshë për Kosovën as politikisht dhe as në një plan më afatgjatë. Prandaj, edhe kërkohet prej partive politike shqiptare që ta rrisin mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që t’i ndajnë pritjet që i ka qytetari dhe aspiratat që i ndjek vendi. Meqë Lista Serbe do të sillet njëjtë në Kuvendin e Kosovës sikurse deri më tani, asgjë nuk do të ndryshojë. Prandaj, kërkohet që disa prej gjërave madhore t’i përmbyllim dhe punët që i ka koalicioni qeverisës t’i përfundojë brenda mandatit, duke siguruar mbështetjen e partnerëve të tjerë.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh gjendjen në Kuvend, ka gjasa që këtë vit të shkohet në zgjedhje apo vitin tjetër, ashtu siç po flitet në opinion?
Hoxhaj: Si Parti Demokratike e Kosovës (PDK) mendojmë se tash dialogu duhet të ketë përparësi. Përderisa jemi në dialog nuk mendojmë se duhet të ketë zgjedhje të reja. Një elitë politike nuk mund edhe të shkojë në zgjedhje, në të njëjtën kohë të merret edhe me një temë madhore sikurse kompletimi i sovranitetit të Kosovës. Sa i përket mundësisë për vitin e ardhshëm, është herët të flitet, meqë varet prej dinamikës së zhvillimeve brenda vendit dhe prej asaj se sa do të arrijmë t’i përmbushim pritjet.

“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës tashmë ka formuar ekipin negociator për dialogun me Serbinë. Sa ka gjasa që ky ekip ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe pjesë e tij të bëhet edhe opozita?
Hoxhaj: Besojmë se do të ketë mirëkuptim dhe delegacionin që do të duhej të mandatohej nga Kuvendi ta përbëjë edhe opozita. Ka qenë kërkesë e opozitës që Kuvendi të vendosë se kush duhet të shkojë në Bruksel. Dhe, ne i kemi hedhur disa propozime si partnerë të koalicionit për nga fuqia e partive politike. Nëse edhe opozita do t’i dërgonte përfaqësuesit e vet, kjo do të ishte një kthesë në kulturën tonë politike, meqë nuk kemi betejë të brendshme, por betejën e kemi me Serbinë. Procesi ndërkombëtar i cili është para nesh do të jetë i vështirë dhe i komplikuar. Varet prej shumë rrethanave të njohura dhe të panjohura. Sikurse që presidenti Thaçi ka nevojë për mbështetje prej institucioneve qeverisës, por edhe prej opozitës që ta përmbyllim këtë proces. Mbetet të shihet se si do të jetë dinamika gjatë ditëve të ardhshme.

“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh ndasitë e krijuar në skenën politike jeni optimist se mund të arrihet konsensusi dhe të paktën një pjesë e opozitës ta përkrahë këtë proces?
Hoxhaj: Po punojmë që të ketë mirëkuptim dhe bashkëpunim politik drejt një konsensusi. Kemi pasur situata absurde edhe para një kohe kur skena politike ishte e përçarë për, gjoja, një marrëveshje jo të drejtë sa i takon demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa fakti se tash nuk merremi vesh as për formën e përfaqësimit tonë në dialog, as për përmbajtjen e dialogut, flet që është koha e fundit dhe janë kambanat e fundit të alarmit që të gjithë ne në elitën politike do të duhej të ulemi dhe të merremi vesh se si të shtyhet dialogu përpara. Nëse dikush mendon se mund ta bllokojmë Serbinë duke i zvarritur punët tona të brendshme, duke moskrijuar një mirëkuptim dhe konsensus të brendshëm dhe që bashkësia ndërkombëtare ka kohë të pafundme që ta presë Kosovën, e kanë shumë gabim. Jam kundër asaj që ta ruajmë status kohën në Kosovë, por në përputhje me përgjegjësitë politike duhet ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës dhe ajo mund të ndodhë nëse vendi anëtarësohet në OKB. Historia e dhjetë vjetëve të fundit ka treguar se vendi nuk mund të anëtarësohet në OKB pa mbështetjen edhe të Rusisë e cila ndjek politikë të njëjtë me Serbinë.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, meqë jeni edhe zëvendëskryetar i PDK-së, mund të na tregoni se cili është qëndrimi i kësaj partie lidhur me idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë?
Hoxhaj: Kjo temë besoj se është konsumuar. Z. Veseli ka folur për këtë temë në media, po ashtu kam folur edhe unë, si dhe kanë folur edhe zyrtarët e tjerë dhe qëndrimi i PDK-së është i qartë. Përtej asaj se si të krijojmë polarizim të brendshëm se kush çfarë tha, mendoj se presidenti Thaçi ka nevojë për mbështetjen e të gjitha subjekteve politike dhe PDK-ja e mbështet edhe në pozitën që ka institucionale, por edhe si ish-kryetar të saj. Fakti që nuk po arrijmë të kemi një delegacion dhe një platformë nuk ma merr mendja që vlen për një dimension të një ideje, prandaj është shumë me rëndësi që të merremi me gjërat kyçe.

“Epoka e re”: Pra, Thaçin e mbështesni edhe në idenë për korrigjim të kufirit?
Hoxhaj: Isha shumë i qartë. Jemi deklaruar deri më tani për këtë dhe është e konsumuar si temë. Çka po synoj të them është se jemi të interesuar të ulemi dhe të merremi vesh se si do të duket marrëveshja obligative dhe ligjore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Epoka e re”: Sidoqoftë, kjo ide në opinion po shihet si opsion i ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, përkatësisht dhënien e veriut dhe marrjen e një pjese të Luginës së Preshevës. Po ashtu, ka pasur zëra se do të ketë edhe një lloj autonomie për veriun përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këto?
Hoxhaj:  Qëndrimi ynë është ky: Do të bëjmë çdo gjë që Asociacioni për Komunat me Shumicë Serbe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të mos ketë karakter ekzekutiv dhe territorial. Dhe rreziku më i madh që mund ta ketë Kosova në procesin e dialogut është pikërisht themelimi i këtij asociacioni. E kam thënë disa herë deri më tash, se asociacioni, në bazë të rekomandimeve që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese, do të duhej të themelohej në atë çast kur Kosova të anëtarësohet në OKB. Pa e marrë një qartësi të anëtarësimit tonë në OKB nuk ka nevojë të mendohet as koha e themelimit të këtij asociacioni. Jemi të interesuar që kjo të shihet në kuadër të arritjes së një marrëveshje obligative ligjore në mes të dy vendeve.

Deri në fund të vitit PDK-ja do ta ketë konventën e re

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, si është duke shkuar procesi zgjedhor brenda PDK-së dhe kur do ta kemi finalen e tij?
Hoxhaj: Po besoj se deri në fund të vitit do ta kemi konventën e re. Gjatë ditëve të ardhshme do të ketë fillim të procesit zgjedhor në nivel të degëve. Deri më tani i kemi përmbyllur me sukses zgjedhjet në rininë demokratike dhe presim që tash të fillojë zgjedhja e forumeve të partisë në nivel të degëve. Jam shumë i sigurt se gjatë kësaj kohe do të dalim edhe me një program të ri, me një platformë të re sikurse edhe me dokumente të reja strategjike si PDK. Jemi në përpjekje që ta hapim partinë, të sjellim sa më shumë mendje të reja dhe energji të reja në PDK.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona…