Hoxhaj takon Xhaferin: Zyrtarizimin e shqipes në Maqedoni nuk mund ta ndalë askush

23 janar 2018 | 18:38

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar me agjendën e tij të takimeve në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni, ku është pritur edhe nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.

Hoxhaj dhe Xhaferi kanë folur për nevojën e bashkëpunimit edhe më të madh mes Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe kanë diskutuar për zhvillimet e fundit dhe miratimin në parlament të ligjit për gjuhën shqipe atje.

Hoxhaj e ka përgëzuar kryeparlamentarin Xhaferi, dhe Parlamentin e Maqedonisë për këtë të arritur të cilën e ka quajtur historike, duke thënë se me gjithë refuzimin e presidentit që ta nënshkruajë ligjin, zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, nuk mund ta ndalë askush.

“Miratimi në parlament i ligjit për gjuhën shqipe është një e arritur historike, për çka i përgëzoj deputetët që kanë votuar dhe kryeparlamentarin Xhaferi. Me gjithë refuzimin e presidentit për ta nënshkruar, zyrtarizimin e gjuhës shqipe nuk mund ta ndalë askush. Kjo është e drejtë fundamentale e shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, po ashtu, ka takuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani, si dhe kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), me financim të…