Një fjalë e shkruar mbi një fletë të bardhë

08 dhjetor 08:20

VIKTOR HYGO

Kapitulli I

 Krishtlindjet e vitit 182… qenë disi të veçanta në ishullin Gernsej. Atë ditë ra dëborë. Në ishujt e La Manshit, një dimër me ngrica është mbresëlënës dhe dëbora është ngjarje e madhe. Mëngjesin e asaj ditë të shënuar rruga, e cila shtrihet nga bregdeti Sent-Pierr-Port deri në luginë, qe krejt e bardhë. Nga mesnata deri në agim nuk kishte reshtur së rëni dëborë. Aty nga ora nëntë, pak pas lindjes së diellit, meqë për angli­kanët nuk kishte ardhur ende ora për të vajtur në kishën e Shën-Samsonit dhe për ueslejanët[1] që të shkonin në kishëzën e tyre Eldat, rruga ishte pothuajse e shkretë. Përgjatë gjithë pjesës së rrugës që ndan kullën e parë nga e dyta kishte vetëm tre kalimtarë: një fëmijë, një burrë dhe një grua. Këta të fundit, duke ecur me njëfarë largësie nga njëri-tjetri, dukej qartë që nuk kishin asnjë lidhje mes tyre. Fëmija, jo më i madh se tetë vjeç, kishte ndalur dhe vështronte dëborën gjithë kureshtje. Burri ecte pas gruas, me një largësi prej rreth njëqind hapash. Ashtu si ajo, ai kish marrë drejtimin për nga kisha e Shën-Samsonit. Burri, ende i ri në moshë, të linte përshtypjen e një punëtori apo detari. Ai kishte veshur rrobat e tij të përditshme, një setër të trashë prej shajaku në ngjyrë të errët dhe një palë pantallona me dollakë të lyer me zift, çka dukej se tregonte që, pavarësisht festës, ai nuk do të shkonte në asnjë kishëz. Opingat e tij të rënda prej lëkure të papunuar, me shuall të mbushur plot gozhdë të mëdha, linin mbi dëborë një gjurmë që më shumë i ngjasonte një brave burgu sesa një këmbe njeriu. Kalimtarja dukej qartë që ishte veshur tashmë si për në kishë. Ajo kishte hedhur supeve një mantel të gjatë të veshur me një shtresë mëndafshi të zi të ashpër, nën të cilin, me shumë shije, kishte përzgjedhur të vishte një fustan puplini irlandez me vilarë në ngjyrë të bardhë dhe rozë të alternuar dhe, nëse nuk do të kishte mbathur çorape të kuqe, fare lehte do ta merrnin për një femër parisiane. Ajo bënte përpara me një gjallëri lëvizjesh të çlirëta e të lehta dhe, në këtë ecje që ende nuk ka mbi vete asnjë barrë të jetës, mendja të thotë se është vajzë e re në moshë. Ajo kishte atë hir fluturak të ecuri që shënjon transformimin më të birshtë, adoleshencën, dy muzgjet në përleshje, agimin e një gruaje në mbarimin e një fëmije. Burri as që ia hidhte sytë.

Krejt papritur, pranë një tufe lisash të blertë që hijeshonin cepin e një kopshti, në vendin e quajtur Bas-Mezon-at, ajo u kthye, e kjo lëvizje bëri që burri ta këqyrte. Ajo u ndal, u duk sikur për një çast e pa me vëmendje, pastaj u përkul dhe burrit iu bë sikur ajo diç po shkruante me gishtin e saj mbi dëborë. U ngrit, vazhdoi rrugën, hapat iu bënë dyfish më të shpejta, sërish ktheu kokën pas, këtë herë duke qeshur, dhe u zhduk më të majtë të rrugës, në shtegun rrëzë gjerdheve që të shpie në kështjellën e Lierit. Burri, kur ajo u kthye për të dytën herë, zbuloi që ishte Derysheta, një vajzë shumë e bukur vendase.

Ai nuk ndjeu asnjë nevojë që të ngutej dhe, pak çaste më vonë, u ndodh pranë tufës me lisa ndanë kopshtit. Nuk po mendonte më për kalimtaren e sapozhdukur dhe ka të ngjarë që nëse ndonjë delfin do të qe kredhur në det atë çast, ose ndonjë zog gushëkuq në kaçube, ky njeri do kishte vazhduar udhën e vet ashtu me sytë e ngulur te gushëkuqi apo delfini. Rasti e solli që t’i kishte qepallat e ulura, e kështu vështrimi i ra mekanikisht te vendi ku vajza ishte ndalur pak më parë. Dy këmbë të vogla kishin lënë aty gjurmë dhe pranë tyre ai lexoi këtë fjalë të shkruar prej saj mbi dëborë: Zhiliat.

Kjo fjalë ishte emri i tij.

Atë e thërrisnin Zhiliat.

Qëndroi gjatë si i ngrirë, duke këqyrur atë emër, ato këmbë të vogla, atë dëborë pastaj, i kredhur në mendime, vazhdoi udhën e tij.

[1] Ueslejanet janë pasues të doktrinës ueslejaniste, pjese e teologjisë së krishterë, bazuar në mësimet e John Wesley, sipas perspektivës medodiste. (Sh. i p.).

(Marrë nga numri 12 i revistës “Akademia”. Përktheu: Verjon Fasho)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MARI HENRI BEL (STENDAL) (përktheu nga origjinali (nga frëngjishtja) Verjon…