Simfonia lirike e një vepre poetike
Sadik Krasniqi
Valdete Berisha, Gotë e thyer, Rugova art, Prishtinë, 2011
Valdete Berisha, krahas poete tashmë e njohur, është edhe piktore e shquar, autore e një mori veprash të bukura pamore, që lidhen me motive nga tradita kombëtare, por që përkojnë me rrjedhat moderne dhe universale. Këtë e kanë dëshmuar ekspozitat e saj të shumta si dhe shpërblimet e marra. Kjo poete dhe piktore e lindur (1968) në Mitrovicë, pas kryerjes së shkollës së mesme, rrethanat e sjellin jashtë në Belgjikë ku jeton dhe punon. Kjo krijuese ka dhunti dhe talent për perceptimin, përjetimin dhe krijimin e të bukurës përmes artit. Këtë talent kjo e re e zhvillon, zgjeron dhe e përsos me një finesë, delikatesë, saqë arti i saj ka vlera dhe cilësi akademike. Libri Gotë e thyer është një përmbledhje poezish me një motiv dominues, motiv ky i vjetër sa vetë njerëzimi dhe i përditshëm e i domosdoshëm si frymëmarrja.
Gotë e thyer është proceduar në katër cikle me sintagma metaforike, të përshkallëzuara mendueshëm e me bartje simbolike që nga cikli i parë stuhi Dimri, te cikli i dytë Diell në zemër, për të vazhduar me Gotë e thyer e duke përfunduar me Krahët e hijes. Duke u nisur nga emërtimet e këtyre cikleve, vërehet një kontrast kontrovers si vetë përditshmëria, pra stuhi e diell, dimër e zemër, gotë e thyer e hije, etje. Me gjithë ndarjen në cikle, edhe ky libër si ai i pari nga kjo autore, Mos e zgjo dhimbjen (i cili nuk është i ndarë fare në cikle), janë libra ku kryesisht me disa përjashtime të vogla, kanë kryetemë dashurinë.
Siç është vërejtur edhe nga kritika, Valdete Berisha ka mvetësi krijuese, origjinalitet, gjë që e bën të veçantë këtë krijuese me poetikën e saj ndaj lëndës që e poetizon. Në një varg të librit të parë, poetesha shprehet: Besoj në një dashuri të përjetshme.
Siç duket ky është brumi motivor që përshndërrohet në obsesion, sublimacion dhe kreacion si kredo për frymëzim të përhershëm te kjo autore.
Dashuria si subjekt lirik te kjo autore është dashuri ekselencë, dashuri kapriçio, dashuri konteshe, solemne, e kadiftë me madhështi dhe sfida mbretërie.
Në poezinë Fluturoj autorja shprehet kaq bukur:
më puthe në sy
më puthe në zemër
nuk di të ec
fluturoj
Andaj dashuria në këtë libër herë-herë ka ndjeshmërinë, delikatesën, brishtësinë e të prekurit të trëndafiltë. I tërë libri i Valdete Berishës është shkruar në variacione për dashurinë. Ky libër është një simfoni dashurie. E themi këtë ngaqë vargu i Valdetes ka një ritëm dhe një muzikalitet të përmallshëm rekuiemi. Stili i saj është i lartë, i pastër dhe shumë i kapshëm nga lexuesi. Gjuha e të shprehurit në vargje të këtij libri është e lehtë, e pandërlikuar, e rrjedhshme, spontane si te vargjet e Zhak Preverit. Duke lexuar një poezi tjetër të titulluar Buzëqeshja, na kujtohet romani i famshëm i Zija Çelës Sos një buzëqeshje me të njëjtën tematikë po që Valdeteja e thotë me një shprehje dendësie prej rubaire:
Ajo nuk ka moshë
nëse foshnja e fal
ç´farë presim ne
Shpesh kjo poete lëndën e poetike e shpreh përmes sentencave me kontraste të thella dhe përmes simbolit të krahasimit si:
i bardhë shpirti nga zjarri
ose
jam zjarr që të ndjek
të shuan, të zgjon
nuk të djeg
Subjekti lirik i kësaj poezie, po ashtu si në jetë, has në sfida të ndryshme. Heroi lirik në këtë poezi sfidohet, por nuk sfidon. Edhe gjatë pësimit nuk hakmerret, madje as mallkon.
Këtu është njerëzorja e gjenit shpirtmirë.
Si ta kaloj oqeanin
të më duash ende
merre diellin në duar
dhe ik sa më larg
bota u takon
atyre që nuk kanë asgjë.
Këto vargje sikur asocojnë në idenë e autores për vënien e titullit të këtij libri Gotë e thyer. Me brendësinë emocionale e shpirtërore, ky libër ka prirje dhe shenja të rrymës letrare të rimodernizmit, rrymë kjo me tendencë që poezia t’i kthehet njerëzores, gjegjësisht shpirtërores.
Kjo poezi të afron kënaqësi dhe befasi, andaj ky libër poetik duhet vënë në këndin e librave të preferuara.



