Sistemi i objekteve

09 dhjetor 2021 | 14:53

JEAN BAUDRILLARD 

Konfigurimi i tërësisë së orendive shtëpiake është një imazh besnik i strukturave familjare dhe shoqërore të një epoke. Pjesa e brendshme e llojit borgjez i përket rendit patriarkal: është ambienti i përbashkët dhomë ngrënie – dhomë gjumi. Mobiliet, të ndryshme në fu­nksionin e tyre, por të mirintegruara, vërtiten rreth bufesë ose shtratit në ambientin përkatës. Është tendenca për ta akumuluar dhe okupuar hapësirën brenda katër mure­ve. Funksionalitet unik, pandryshueshmëri, prani hije­rëndë dhe etiketë hierarkike. Çdo pjesë ka një destina­cion strikt që u përgjigjet funksioneve të ndryshme të celulës familjare, dhe më tej çon në një konceptim të personit si të një kombinimi të ekuilibruar aftësish të ndryshme. Mobiliet vështrohen njëra me tjetrën, shtrën­gohen pas njëra-tjetrës, bëhen pjesë e një tërësie e cila është më pak hapësinore sesa rend moral. Ato vërtiten rreth një aksi i cili siguron kronologjinë e rregullt të drejtimeve: prania e familjes gjithmonë është e simbo­lizuar nga ajo vetë. Në këtë hapësirë private çdo mobilie, çdo pjesë sipas radhës, ka funksionin e vet dhe mvesh aty dinjitetin simbolik – është e tërë shtëpia e cila për­sos integrimin e marrëdhënieve personale në grupin gjysmë të mbyllur të familjes.

E gjithë kjo krijon një organizëm, struktura e të cilit është marrëdhënia patriarkale e traditës dhe autorite­tit, e zemra e të cilit është marrëdhënia emocionale dhe komplekse e cila lidh të gjitha gjymtyrët. Kjo vatër (familjare) është një hapësirë specifike e cila nuk e merr fort në konsideratë një planifikim objektiv, sepse mobi­liet dhe objektet së pari kanë aty funksionin e personi­fikimit të marrëdhënieve njerëzore, të mbushin hapë­sirën e përbashkët dhe të kenë një shpirt.[1] Dimensioni real ku ato jetojnë është nën pushtetin e dimensionit moral që ato duhet të nënkuptojnë. Gjithashtu, ato kanë fare pak mëvetësi në këtë hapësirë nga ç’mund të kenë pjesëtarët e ndryshëm të familjes në shoqëri. Qeniet dhe objektet janë, sidoqoftë, të lidhura. Objektet marrin në këtë farë komploti një densitet, një vlerë emocio­nale, saqë pajtohemi për t’i bërë thirrje “pranisë” së tyre. Kjo formon thellësinë e shtëpive të fëmijërisë, dominimin e tyre në kujtime. Kjo është qartazi struk­turë komplekse e brendësisë ku objektet shprishin në sytë tanë kufijtë e një konfigurimi simbolik të quajtur “banesë”. Pauza midis pjesës së brendshme dhe të jashtme, kundërshtia e tyre formale nën treguesin shoqë­ror të pronësisë dhe nën treguesin psikologjik të ima­nencës së familjes, krijon nga kjo hapësirë tradicionale një transhendencë të mbyllur. Antropomorfike[2], këto hyjni Lare[3] që janë objekte, bëhen, duke mishëruar në hapësirë lidhjet emocionale dhe vazhdimësinë e grupit, dokumente të pavdekshme, deri në atë masë sa gjene­rata moderne i degdis diku ose i shpërndan, ose shpesh i rinvendos në një aktualitet nostalgjik prej objektesh të vjetra. Ashtu si zotat, shpesh edhe objektet e kanë shansin e një ekzistence të dytë, duke kaluar nga përdorimi i thjeshtë tek ekstravaganca kulturore.

Rendi i dhomës së ngrënies dhe i dhomës së gjumit, kjo strukturë mobiliare (tërësi e orendive) e lidhur me strukturën imobiliare (si pasuri e patundshme) të shtë­pisë është ajo që më së shumti publiciteti përhap në një audiencë të gjerë. Lévitan dhe Galeritë Barbè gjith­monë propozojnë për shijet kolektive normat e tërësisë “dekorative”, ndonëse konturet janë “të stili­zuara”, ndonëse dekori e ka humbur afeksionin e tij. Nëse këto mobilie shiten, nuk ka të bëjë me faktin se janë më pak të shtrenjta, por se bartin në vetvete sigu­rinë në mënyrë zyrtare të masës si dhe sanksionimin borgjez. Gjithashtu, këto mobilie monumente (bufeja, krevati, dollapi) dhe ndërtimi (dhe sistemimi) i tyre reciprok i përgjigjen një këmbënguljeje të strukturave tradicio­nale familjare në shtresa shumë të gjëra të shoqërisë moderne.

Objekti modern i çliruar në funksionin e tij

Stili i objekteve mobiliare ndryshon në të njëjtën kohë me marrëdhëniet e individit në familje dhe në shoqëri. Kanapera, shtretër praktikë me koka në cepat e dho­mave, tavolina të ulëta, rafte, elemente që zëvendë­sojnë repertorin e vjetër të mobilieve. Gjithashtu, edhe organizimi ndryshon: shtrati i lë vendin shtratit – banket, bufeja dhe dollapët musandrës që paloset. Gjërat përdridhen dhe shpalosen, mblidhen dhe hapen, fshihen krejtësisht, hyjnë në skenë në kohën e duhur. Sigurisht këto inovacione nuk kanë të bëjnë aspak me një improvizim të lirë: pothuajse gjatë gjithë kohës kjo lëvizshmëri, shkëmbyeshmëri dhe oportunitet i madh nuk është veçse rezultat i një adaptimi të sforcuar për mungesë hapësire. Është varfëria ajo e cila bën shpi­kjen. Dhe nëse dhoma e vjetër e ngrënies ishte e ngar­kuar me një konvencion të rëndë moral, elementet e brendshme “moderne”, në efikasitetin e tyre, kryejnë shpeshherë efektin e ekspedientëve funksionalë.

“Mungesa e stilit” është pikësëpari mungesë hapë­sire dhe funsionaliteti maksimal një zgjidhje aspak e mirë ku banesa, pa humbur formën që ka, humbet organizimin e brendshëm të saj. Shpërbërja pa kthim e hapësirës dhe pranisë së objekteve është së pari var­fërim. Kësisoj paraqitet tërësia e serisë moderne: e shka­tërruar e aspak e ristrukturuar – duke mos e kompen­suar asgjë fuqinë e shprehjes së rendit të vjetër sim­bolik. Sidoqoftë, ka progres: mes individit dhe këtyre objekteve, më të epshëm në përdorimin e tyre, që as ushtrojnë dhe as simbolizojnë më detyrim moral, marrë­dhënia është më liberale: individi nuk është më for­tësisht i lidhur me familjen nëpërmjet tyre.[4] Në lëviz­shmërinë dhe në multifunsionalitetin e tyre ai gjen një liri më të madhe organizimi, reflektimi të një disponi­biliteti më të madh në marrëdhëniet e tij shoqërore. Por kjo nuk është veçse një lloj lehtësimi i pjesshëm. Në nivelin e objektit të serisë, në mungesë të një ristru­kturimi të hapësirës, ky zhvillim “funksional”, për ta përmendur dallimin marksist, nuk është veçse një eman­cipim, dhe jo një çlirim, sepse nënkupton vetëm çlirimin e funksionit të objektit, e jo të objektit në vetvete. Kjo tavolinë e patrajtë, e lehtë, e palosshme, ky krevat pa këmbë, pa strukturë, pa mbulesë mbi krye, që është sikurse shkalla zero e shtratit, të gjitha këto objekte të linjës “së pastër” që as nuk shëmbëllejnë për atë çka janë, të reduktuar në aparatin e tyre më të thjeshtë e si përfun­dimisht të shekullarizuar: ajo çka është e çliruar në to, dhe që, duke u çliruar, ka çliruar diçka te njeriu (ose që vetë njeriu, duke u çliruar, ka çliruar tek ato), është funksioni i tyre. Kjo s’është më e errësuar nga panatyr­shmëria morale e mobilieve të vjetra. Ajo ka shpëtuar nga riti, nga etiketa, nga një ideologji e tërë që e bënin ambientin rrethues pasqyrën opake të një strukture njerëzore të materializuar. Në ditët e sotme, më në fund, objektet pasqyrohen qartë­sisht në atë për të cilën ato shërbejnë. Ato janë kështu të lira si objekte funksio­nale, domethënë që kanë lirinë për të funksionuar dhe (për objektet e serive) prakti­kisht nuk kanë tjetër veçse atë.[5]

Mirëpo, derisa objekti është i çliruar veçse në funksionin e tij, reciprokisht njeriu nuk mund të jetë i çliruar veçse si përdorues i këtij objekti. Ky është sërish një tjetër pro­gres, por jo një moment deciziv. Një shtrat është një shtrat, një karrige është një karrige: nuk ka marrëdhë­nie midis tyre për aq kohë sa ato shërbejnë vetëm për atë që shërbejnë. Pa marrëdhënie, kurrfarë hapësire, sepse hapësira s’ekziston veçse në ambient të hapur, e ngjallur, plot ritëm, e zgjeruar nga një korrelacion obje­ktesh dhe një tejkalim të funksionit të tyre në këtë struk­turë të re. Në një farë mënyre hapësira është liria e vërtetë e objektit, e funksioni që ka s’është veçse liria e tij formale. Salla borgjeze e ngrënies ishte e struktu­ruar, por ishte një strukturë e mbyllur. Mjedisi rrethues funksional është më i hapur, më i lirë, por aspak i struk­turuar dhe i copëtuar në funksionet e tij të ndryshme. Midis të dyjave, në ndërprerjen mes ‘hapë­sirës psiko­logjike të integruar’ dhe ‘hapësirës funksio­nale të copë­tuar’, objektet e serisë, dëshmitarë si për njërin rast ashtu dhe tjetrin, shpesh lëvizin në suazën e të njëjtës bren­dësi të banesës.

Modeli i brendshëm

Elementet

Këtë hapësirë të pagjetur, e cila nuk do të ishte më as jashtësia e panatyrshme, as strehimi i brendshëm, këtë liri, këtë “stil” të paqartë në objektin e serisë, sepse ky i fundit i është nënshtruar funksionit të tij, e gjejmë të pranishme në modelet e brendshme. Aty dalin një strukturë e re dhe një zhvillim domethënës.[6]

Duke shfletuar këto revista luksoze Maison Française, Mobilier et Décoration etj.,[7] mund ta vështrojmë alter­nimin e dy temave: një pjesë sublime e shtëpive të veçanta e të shquara, shtëpi të vjetra të shek. XVII, vila të pajisura mrekullisht, kopshte ita­liane të ngro­hura me sistem infra-rouge (rreze infra të kuqe) dhe të stolisura me statuja etruske, me një fjalë bota e të pakrahasueshmes e cila veçse përforcon sodi­tjen e pa­shpresë (së paku sociologjikisht e arsyeshme). Aty gjen­den mobiliet aristokratike që veshin me vlerën e tyre absolute dhe pjesën tjetër: atë të dekorit modern të rre­gullimit. Objektet dhe mobiliet e propozuara këtu, megji­thëse të një “standing”-u të madh, sidoqoftë kanë një impakt sociologjik, nuk janë më krijime për t’u ëndë­rruar, jokomerciale, janë në kuptimin e plotë modele. Nuk jemi më në artin e pastër, por në një fushë e cila (së paku virtualisht) është me dobi për të gjithë shoqe­rinë.

Këto modele të pararojës (avangardës) mobiliare poro­siten sipas një kontrasti thelbësor: ELEMENTE/ NDENJËSE dhe domosdoshmërisë praktike të së cilës ata iu binden është ajo e RREGULLIMIT, ose kalkulim sintagmatik, së cilës i kundërvihet, ashtu si ndenjëset me elemente – koncept i përgjithshëm i AMBIENTIT.

“TECMA[8]: elemente të tërheqshme dhe shoqëruese, mund të transformohen dhe të rriten në vëllim; të har­monishme, ato përbëjnë një orendi me homogjenitet të përkryer; funksionale, ato u përgjigjen të gjitha domosdoshmërive të jetës moderne. U përgjigjen të gjitha kërkesave tuaja: bibliotekë, bar, radio, kabinet, gardërobë, sekretari, sënduk, komodinë, komo, vitrinë, rafte për dokumente, tavolinë e palosshme.

TECMA bëhet nga druri i lyer ose mogani me vernik”.

“OSCAR: Kompozoni ambientin tuaj me dorën tuaj; OSCAR! Pasion i ri! Mobileria OSCAR është një tërë­si elementesh të çmontueshme.

Zbuloni kënaqësinë e kompozimit të modelit të zvo­gëluar të orendisë suaj në reliev, në ngjyra dhe në për­masën e dorës suaj! Ju e krijoni, e transformoni në shtë­pinë tuaj, në kohën tuaj të lirë!

Të qetë, ju porositni mobilien OSCAR, origjinale dhe personale, një krenari e vërtetë për shtëpinë tuaj!”

“MONOPOLY: Çdo set MONOPOLI është miku më i mirë i personalitetit tuaj. Sistem i përpunimit dëko­rativ i një cilësie të lartë, në dru ose material pla­stik, me bashkime dhe montime të padukshme elemen­tesh katërfaqëshe që mundësojnë kompozime pafun­dësisht të ndryshme sendesh të adaptuara sipas shijeve tuaja, përmasave tuaja, në funksion të nevojave tuaja.

Element monombllok i shumëkombinueshëm: ju do t’i merrni për të krijuar edhe ju në shtëpinë tuaj këtë atmosferë të rafinuar të cilën e ëndërroni prej kohësh”.

Këta shembuj bëjnë që të duket tejkalimi i objektit-funksion drejt një rendi të ri praktik të organizimit. Vlerat simbolike, dhe vlerat e përdorimit, mjegullohen pas vlerave organizative. Substanca dhe forma e oren­dive të vjetra janë definitivisht të braktisura për një seri funksionesh ekstremisht të lira. Nuk u vendosim më objekteve një “shpirt” dhe ato nuk ju rrethojnë më me praninë e tyre simbolike: marrëdhënia bëhet objektive, për efekt rregullimi dhe argëtimi. Vlera që ajo merr nuk është më e natyrës instiktive dhe psikologjike, por taktike. Janë pikërisht ndryshimet dhe përçapjet e veprimit tuaj që ju kallëzojnë, jo sekreti i marrëdhënieve të veçanta. Një barrierë thelbësore është ngritur paralelisht me një modifikim të ndjeshëm strukturash sociale dhe interper­sonale.

Muret dhe drita

 Pjesët (dhomat) e shtëpisë në vetvete tejkalojnë nda­rjen tradicionale të murit, që me anë të saj krijonte disa hapësira-strehimore. Pjesët hapen, gjithçka komunikon, ato ndahen në kënde, në zona të shpërndara, në sektorë të lëvizshëm. Ato liberalizohen. Dritaret nuk janë më ato vrimat e vendosura në mur për vërshimin e ajrit dhe dritës, që vinte nga jashtë për të ndalur tek objektet për t’i ndriçuar sikurse nga brenda. Më thjesht, nuk ka më dritare dhe drita që vepron lirisht është bërë fun­ksion universal i ekzistencës së gjërave. Gjithashtu, objektet e kanë humbur substancën e cila i përbënte, formën që i karakterizonte, nga ku njeriu bënte anek­simin e tyre: tashmë është hapësira ajo që vepron lirisht mes tyre dhe bëhet funksioni universal i marrëdhë­nieve dhe “vlerave” të tyre.

 Ndriçimi

 Në të njëjtin rend zhvillimor, disa hollësi janë tejet domethënëse: për shembull, tendenca për t’i fshirë buri­met e dritës. “Një heqje e tavanit strehon në të gjithë perimetrin e saj platforma të pjerrëta neoni që sigu­rojnë një ndriçim të përgjithshëm të fshehur”. “Ndri­çim uniform nga platforma të fshehura në pika të ndryshme: nën kthinën e tavanit e cila përshkon gjithë hapësirën e perdes, pas pjesës së sipërme ku është pozi­cionuar mobilja, nën kryet e dollapëve etj.”. Gjith­çka ndodh sikur burimi i dritës të qe ende një thirrje në origjinën e gjërave. Edhe kur ai nuk e ndriçon më që nga tavani rrethin familjar, edhe i shpërndarë dhe i shumëfishuar, ai mbetet ende shenjë e një intimiteti të privilegjuar, ai mbart një vlerë të veçantë mbi gjërat, ai krijon hijëzime, ai përfton gjendje (prani të ndry­shme). E kuptojmë se një sistem i cili tenton në kalku­limin objektiv të elementeve të thjeshta dhe homogjene, dëshiron të fshijë gjithçka nga vështrimi ose dëshira jonë deri në këtë shenjë të fundit të rrezatimit të brend­shëm dhe mbështjelljes simbolike të gjërave.

Pasqyra dhe portrete

Tjetër simptomë: zhdukja e xhamit dhe pasqyrës. Një psikosociologji e pasqyrës duhej bërë pas gjithë asaj metafizike. Mjedisi fshatar tradicional e shpërfill elementin e xhamit, mbase dhe i druhet atij: i duket paksa mistik e i vështirë (në përdorim). Në të kundërt ambienti borgjez, dhe ajo çfarë mbetet në orenditë shtëpiake aktuale në seri, i shton gjithnjë e më tepër sasinë e pasqyrave nëpër mure, mbi dollapë, mbi trye­zat e vogla, bufe, panele. Ashtu si burimi ndriçues, pas­qyra është një vend i privilegjuar në ambientin e shtë­pisë. Si e tillë, ajo luan gjithandej në jetën e pasur famil­jare rolin e saj ideologjik të tepricës, të bollëkut, të pas­qyrimit: është një objekt i pasur, në praktikën respek­tive të së cilës personi borgjez shijon privilegjin e shumi­mit të parencës së tij dhe të të mirave të tij materiale. Në mënyrë më të përgjithësuar le të themi se pasqyra, objekt i rendit simbolik, jo vetëm pasqyron tiparet e indi­vidit, por shoqëron në zhvillimin e saj vrullin historik të ndërgjegjes individuale. Ajo sjell kësodore sanksio­nimin e një rendi të tërë shoqëror: nuk është një ras­tësi nëse shekulli i Luigjit XIV për­mblidhet në Galerie des Glaces dhe nëse, shumë më vonë, shumimi i shpejtë i xhamit për funksion shtë­piak përkon me atë të hipo­krizisë triumfuese të ndërgjegjes borgjeze, të Napole­onit III në stilin modern. Por gjërat kanë ndryshuar. Në tërësinë funksionale, pasqyrimi për pasqyrimin nuk ka më vlerë. Pasqyra e qelqtë ekzi­ston gjithmonë: ajo merr funksionin e saj të plotë në sallën e dushit të parrethuar. E paracaktuar për kujdes të veçantë të aparencës që e kërkon tregtia sociale, ajo çlirohet nga favoret dhe pres­tigjet e subjektivitetit familjar. Njëkohësisht, objektet e tjera janë të çliruara prej saj, pasi nuk janë më të predi­spozuara të jetojnë në një qark të mbyllur me imazhin e tyre. Ngaqë pasqyra jep një përfundim të hapësirës, ajo supozon murin, të kthen drejt qendrës: sa më shumë xhama pasqyre të ketë, aq më i lavdishëm është inti­miteti i dhomës, gjithashtu edhe më e kufizuar është ajo në vetvete. Tendenca aktuale për t’i shumuar çeljet e hapë­sirave dhe mureve të tejdukshëm bie ndesh në mënyrë të mirëfilltë. (Për më tepër, të gjitha falsifikimet e mun­dësuara nga qelqi si lëndë shkojnë kundër kër­kesës aktuale të ekskluzivitetit të materialit). Njëfarë qarku u shpërbë, dhe i duhet njohur një logjikë e shën­doshë rendit modern kur ai, në të njëjtën kohë me buri­met ndriçuese qendrore ose tepër të dukshme, eliminon pas­qyrat të cilat e reflektojnë atë, domethënë në të njëj­tën kohë çdo shtëpi dhe çdo rikthim në qendër, duke çli­ruar hapësirën nga ky strabizëm konvergjent që, në imazh të ndërgjegjes borgjeze, e bënte dekorin ta shihte me lakmi vetveten.[9] Një tjetër gjë sërish, njësoj si pas­qyra, është zhdukur: është portreti i familjes, fotoja e martesës në dhomën e gjumit, portreti në këmbë ose i ulur i të zotit të shtëpisë në sallon, fytyra e suazuar e fëmijëve përreth. E tërë kjo, e cila në njëarë mënyre përbën pasqyrën diakronike të familjes, u zhduk me pasqyrat e vërteta në një nivel të caktuar të moderni­tetit (transmetimi i të cilit ende është relativisht modest). Edhe vepra e artit, origjinale ose e riprodhuar, s’futet më aty si vlerë absolute, por në mënyrë të kombinue­shme. Suksesi i gravurës në dekorim, i preferencës në tablo, ndër të tjera, shpjegohet nga vlera e saj më e vogël absolute, pra nga vlera e saj më e madhe shoqë­ruese. Jo më tepër se llamba ose pasqyra, asnjë objekt s’duhet të ribëhet një qendër fort e konsiderueshme.

Ora (si aparat matës) dhe koha

 Tjetër mirazh i shkuar në ambientin e brendshëm modern: ai i kohës. Një objekt thelbësor është zhdu­kur: aparati matës i orës ose sahati i vogël i orës. Le të kujtojmë se nëse dhoma fshatare ka si qendër të sajën zjarrin dhe oxhakun, edhe ora, gjithashtu, është një element i madhërishëm dhe i gjallë. Në brendësinë borgjeze ose mikroborgjeze, ajo merr formën e sahatit të vogël luksoz që shpesh kurorëzon parmakun e mer­mertë të oxhakut, ky i fundit i dominuar shpesh nga lënda e xhamtë përreth – kjo tërësi përbën përmble­dhjen më të jashtëzakonshme simbolike të jetës fami­ljare borgjeze. Sepse ora është ekuivalente e kohës ashtu siç pasqyra është për hapësirën. Ashtu sikurse marrë­dhënia me imazhin pasqyrë krijon një mbyllje dhe një lloj introjeksioni të hapësirës, po ashtu ora është para­doksalisht simbol i përhershmërisë dhe introjeksion i kohës. Orët e fshatit janë një ndër objektet më të kër­kuara, për faktin se janë saktësisht funksionale, sepse matin kohën pa kurrfarë surprize në brendësinë e një mobile, çka vërtet është ndjesia më qetësuese në botë. Kronometrimi është i ankthshëm kur na cakton detyrat sociale, por është qetësues kur emërton kohën dhe e copëton si një objekt të konsumueshëm. Që të gjithë e kanë përjetuar faktin se sa shumë tik-taku i një sahati ose ore e shenjtëron privatësinë e një ambienti, ai e bën fort të ndjeshëm në brendësinë e trupit tonë. Ora është një zemër mekanike e cila na jep siguri mbi mirëfuksionimin e vet zemrës sonë. Është ky proces infuzioni e asimilimi i substancës kohore. Është kjo prani e kohëzgjatjes që është kundërshtuar ashtu si të gjitha rikthimet e tjera në brendësi, nga një rend modern që i përket jashtësisë, hapësirës dhe marrëdhënies obje­ktive.

(Fragment shkëputur nga libri “Sistemi i objekteve” të filozofit të madh francez Jean Baudrillard. Përktheu nga frëngjishtja: Verjon Fasho. Marrë nga revista “Akademia”. Titulli i tekstit, i redaksisë së gazetës “Epoka e re”, me pëlqimin e botuesit të revistës))

[1] Megjithatë, ato mund të kenë shije dhe stil, sikurse edhe mund të mos kishin.

[2] Antropomorfizmi, tendenca për t’i dhënë Zotit, ose një perëndie, ndjenjat, pasionet, idetë dhe veprimet e njeriut. Konceptuar ndryshe si mishërim (shën. i përkth.)

[3] Ose perëndi Lare, shpesh të emërtuar dhe si Genii loci, janë perëndi romake me origjinë etruske (nga gjuha etriske Lars – Zot). Ato janë hyjni të veçanta për çdo familje, Lari familjar është Perëndia e familjes që mbron të gjithë pjesëtarët e saj. (shën. i përkth.)

[4] Por duhet bërë pyetja nëse ai nuk lidhet njëkohësisht nëpërmjet tyre me shoqërinë globale; mbi këtë aspekt shiko “Modele dhe seri”

[5] Në të njëjtën mënyrë, revolucioni borgjez dhe ai industrial e çliron individin pak nga pak prej angazhimit religjioz, moral, familjar, ku ai pranon një liri të të drejtave civile si njeri, porse një liri (të vërtetë) si fuqi punëtore, domethënë në lirinë për t’u shitur si i tillë.

[6] Pra, në një nivel të privilegjuar. Dhe ka një problem sociologjik dhe social në faktin që një grup i kufizuar ka lirinë konkrete për t’u shprehur, me anë të objekteve dhe mobilieve të tij, si model në sytë e një shoqërie të tërë.

[7] (Shtëpia franceze “Orendi dhe dekorim”) Një revistë kushtuar mobilieve të serisë është e papërfytyrueshme: për këtë qëllim mund të gjenden vetëm një mori katalogësh.

[8] TEKMA, është dhe një gamë e gjerë produktesh për aredim.

[9] Pasqyra herë-herë rikthehet te konsumatori, por atëherë në llojin kulturor barok, si objekt i dorës së dytë: pasqyrë romantike, xham i vjetër, pasqyrë e mysët. Funksioni i saj nuk është më i njëjti dhe më tej do të analizohet në kuadrin e objekteve të vjetër.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i…