Një libër mbi arsyeshmërinë e trajtimit të kthesave të dramës që krijoi drama moderne

04 janar 2022 | 13:17

Prof. Dr. Haqif Mulliqi

Libri “Kthesë e dramës modern (shek. XIX-XX) – Dramaturgjia e Ibsenit dhe e Strindbergut” e filozofit dhe profesorit Muhamedin Kullashit nuk është vetëm një libër mbi dramën apo tekstin dramatik. Në fakt, po u gërvisht vetëm pak mbi shtresën e paralajmëruar dhe domethënëse të titullit të këtij libri, atëherë do ta kuptojmë se ky libër është një vepër për dramën dhe tekstin dramatik në përgjithësi. Është e qartë se për M. Kullashin hapësira dramatike dhe teatrore, në mënyrë të natyrshme dhe primare, është një fushë e hulumtimit dhe e interesimit, ndërsa pyetjet të cilat ngrihen përmes këtij libri janë njëlloj të rëndësishme, tërheqëse dhe sfiduese në korniza shumë më të gjëra të artit e të kulturës. Kjo është e dukshme, madje, që në pjesën hyrëse të librit, në të cilën theksohet rëndësia dhe arsyeshmëria e vetë faktit të trajtimit të çështjeve komplekse të kthesave të dramës që krijoi drama modern si dhe të çështjeve që ndërlidhen me aspektet komplekse të subjektit të dramës së kësaj provenience, ku, në të njëjtën kohë, aktualizohet të menduarit mbi mekanizmat e ndryshëm të diskursit letrarë-dramatik, mbi kontinuitetin e kulturës, mbi prapavijat filozofike të artit, dhe në përgjithësi për çarjet ndërmjet mendimit klasik dhe modern mbi artin.

Nuk është e rastit që në librin e Kullashit, “Kthesë e dramës modern (shek. XIX-XX) – Dramaturgjia e Ibsenit dhe e Strindbergut” autori, mbi subjektin e veprave dramatike, i ka vendosur dy autorët kult, Henrik Ibsenit dhe të August Strindbergut që, përmes krijimtarisë së tyre, të krijojë, pikërisht, një shëmbëlltyrë të dramës moderne, e cila, nga fundi i shekullit XIX-të dhe fillimi i shekullit XX paralajmëron dhe qëmton reflektimet për çështjet që kanë prezencë të vazhdueshme në këtë diskurs. Një prej pyetjeve më të rëndësishme dhe më të njohshme në këtë rrafsh është ajo e Kajzerit, kur thotë: „Kush është ai që flet në veprën letrare“, ndaj dhe Kullashi, duke përzgjedhur dy prej përfaqësuesve më intrigues të dramës moderne, që nga fillimi e kërkon përgjigjen nga lexuesi që në mënyrë të logjikshme të mendojë mbi atë që, në fakt, në tekstin dramatik e dëgjon me vëmendje dhe mbi instancat e të cilave bëhet i mundshëm dëgjimi.

Pyetjet e thjeshta e asaj për të cilën flitet në dramë që shndërrohen në lëndë jashtëzakonisht komplekse në zhanret e ndryshme të letërsisë

Në kreun e parë të librit, siç e thotë edhe vetë autori i tij, ai është përpjekur që të hedhë dritë mbi disa rrjedha në krijimtarinë dramaturgjike në Francë, Gjermani dhe Itali të cilat, mbase, ishin paralajmëruese të asaj që do të ndodhë në dy dekadat e fundit të shekullit XIX-të, që, në fakt, janë kthesa të dramës moderne e që, pa fije dyshimi, mund të konsiderohen edhe ngjarje të veçanta në historinë e dramës.

Po në këtë pjesë, Kullashi paralajmëron një qasje të ndjeshme dhe analitike ndaj temës mbi të cilën, një lexues me përvojë, që merret me letërsinë, filozofinë apo edhe teorinë e dramës në një mënyrë ose një tjetër do ta konsiderojë si një kthim serioz në këtë lëndë tek e cila e kanë obligim që të “kthehen” të gjithë ata të cilët merren me letërsinë në përgjithësi.

Këtu, autori na e tregon se si dhe përse, në dukje, pyetje e thjeshtë e asaj për të cilën flitet në veprën letrare, shndërrohen në një lëndë jashtëzakonisht komplekse në zhanret e ndryshme, të cilat, autori i vështron përmes ndërthurjes së sferave të ndryshme historiko – filozofike dhe shoqërore. Është e rëndësishme të vihet në pah edhe ajo, se si Kullashi, në përpjekjen e tij që të na ofrojë shpjegime sa më të qarta dhe sa më të hollësishme lidhur me temën që trajton në libër, asaj i qaset me synim, fillimisht, çmitizues: duke hedhur poshtë, paraprakisht, zbërthimin e subjektit gjë të cilën ai e ndjen si një simptomë të kohës (ndërsa e njeh si paralajmërim në dramat e autorëve të përzgjedhur për shqyrtim). Kështu, ky autor, para së gjithash, bën përpjekje shtesë që, përmes rishikimit të traditës, ta rindërtojë një histori të shkurtër të të reflektuarit mbi subjektin si gjënë më të thjeshtë dhe më elementare të asaj për të cilën flet. Ndaj edhe vazhdon me një vështrim introspektiv, po aq të qartë dhe të shërbyeshëm të marrëdhënieve të nocioneve të shfrytëzuara qoftë nga historia e letërsisë apo edhe ajo e filozofisë. Kjo është pika ku e kemi të qartë se Kullashi, në fakt, e mban një qëndrim pajtues midis traditës së ashpër dhe ekstremeve të postmodernes, duke i zbuluar lidhjet logjike dhe praktike ndërmjet përcaktimeve të cilat veprojnë si ekstreme të papajtueshme. Kështu studimi për të cilin po flasim, e bënë nënvizimin e pozicioneve të vetë autorit, e që, praktikisht, do ta shënojë grafikonin e gjithë këtij hulumtimi, e që bazohet edhe në besimin se e gjithë ajo që përshkruhet si “diçka e re” apo edhe „moderne“, është e atillë ngase, në të njëjtën kohë mund të përshkruhet si “mungesë e të vjetrës”, gjegjësisht mungesë “e tradicionales.“ Në një frymë të këtillë Kullashi flet mbi dramën moderne, e cila, faktikisht, vetëm se e përfaqëson riorganizimin e marrëdhënieve brenda kornizës, tashmë, të njohur.

Sipas autorit të studimit, tragjikja moderne e personazheve është një tragjikë e cila e përfshinë tërë jetën e tyre. Kjo pikëpamje të cilën e trajton edhe Sarrazak, nuk e implikon totalitetin si synim të dramës, por, ajo e vë në pah, karakterin problematik të interpretimeve që e reduktojnë jetën e njeriut në copëza e thërrime të cilat nuk kemi si t’i lidhim.

Kullashi, gjithashtu e ka për synim që ta sqarojë edhe atë se, si është e mundshme dhe si ndodhi që kthesa e dramës moderne në Evropë të realizohet nga dy dramaturgë të Skandinavisë, Henrik Ibseni i Norvegjisë dhe August Strindbergu i Suedisë. Apo, përse kjo kthesë nuk ndodhi në Gjermani ose në Francë, ku krijimtaria letrare, në përgjithësi (romani, poezia, teatri dhe dramat) kishin një zhvillim të shumëfishtë e të begatshëm, gjatë disa shekujve, gjegjësisht, një zhvillim evident, që nga Rilindja e deri tek fillet e modernitetit, duke ushtruar një ndikim të madh në vende të ndryshme të Evropës?

Disa përgjigje për këto pyetje të parashtruara, sipas Kullashit, mbase, mund t’i gjejmë në studimet dhe veprat e filozofit të shquar, bashkëkohor të teatrit dhe dramës, Michel Meyer, sipas të cilit, siç e thekson autori i librit, kur në Evropë shtrohej pyetja se cila është e ardhmja e teatrit dhe se a ka fare më ardhmëri teatri, përgjigjja erdhi nga një vend skandinav me veprat e Henrik Ibsenit.

Vënia në pah e subjektit si dhe e pozitës autoriale në veprën dramatike

Me kreun e dytë të studimit, M. Kullashi flet, veçanërisht mbi përmbysjen teatrore të Ibsenit dhe lindjes së modernizmit të tij. Gjithashtu, në këtë pjesë ky flet edhe për ato që i quan debate rreth idealizmit dhe realizmit, e që janë paraprijëse të modernizmit; për ëndrrat e Ibsenit dhe shpellën e Platonit, për simbolizmin e malit te Ibseni apo atë që quhet, “dramaturgji e frikës”, për metamorfozën e Norës së famshme në dramën “Shtëpi kukulle”, erotizmin e vdekjen, e tjerë, e tjerë.

Duke folur mbi simbolet dhe dyshimin ekzistencial, autori i këtij studimi, faktikisht, na e vë në pah subjektin dhe pozitën autoriale në veprën dramatike, ku, në mënyrë deduktive e bënë edhe zhvillimin e temës kryesore, duke e tërhequr vëmendjen, sidomos, tek hapësirat problematike në dramë, të simboleve, apo edhe të dyshimeve që mund të dalin në pah me rastin e trajtimit të një teksti të caktuar, e që ndërlidhet me çështjet universale të marrëdhënieve ndërmjet botës artistike dhe të asaj reale. Megjithatë, duhet ta theksojmë se si, në kreun e dytë të librit të tij, Kullashi, këtë ndarje e shfrytëzon, më shumë, për t’i vënë në dukje specifikat e dramatikes (parësisht) kundrejt ligjërimit prozaik, ku, më pastaj bëhet, edhe, artikulimi i mënyrave specifike, me ç’rast, drama trajton raste imanente për çdo vepër artistike.

Duke iu përmbajtur autorëve si Szondit, Hubertit, Meyerit, Kornfeldit, Danit, Batleri, Lehmanit, e në veçanti koncepteve jashtëzakonisht interesante të Mauris Gravierit, Kullashi, ndjeshëm, i prekë disa probleme edhe nga disa fusha të ngushta të letërsisë të ndërlidhura me dikotominë e subjektit dhe autorit, ndërsa zgjidhjen e të cilave e sheh në një kuptim më të afërt të marrëdhënies midis realitetit dhe fiksionit.

Sipas Kornfeldit, thotë Kullashi, njeriu, si viktimë e natyrës së vetë të dyfishtë, është rob i trupit të vetë dhe i aspiratave të veta tokësore, të aksidenteve të karakterit të tij, të intelektit të tij, ndërsa, i tëri është i orientuar kah jeta praktike, përderisa “shpirti i tij, që ka dalë nga Zoti, synon kah Zoti – e obligon vazhdimisht të vuaj për këtë çekuilibrim, e bënë të vuaj kah ajo harmoni të cilën nuk mund ta pushtojë në jetën e përditshme.

Pra, mund të thuhet se autori i këtij studimi, kështu, përpiqet të mbajë, të thuash, një pozicion pajtues brenda paradokseve të shumta të krijuara nga marrëdhëniet e personazheve në dramën moderne. Ta kujtojmë, ta themi, fatin kryepersonazhes tek drama “Shtëpia e Kukullës” e H. Ibsenit dhe marrëdhënien e tensionuar ndërmjet Norës dhe të shoqit të saj, Torvaldit. Apo edhe fati i Shauli, personazh i “huajtur” nga mitologjia biblike për dramën “Udha e Damaskut” të A. Strinbergut, me ç’rast, personazhi kryesor, I Panjohuri, (që mund të jetë edhe vetë Strinbergu) e bënë një udhëtim mistik për t’u vetënjohur dhe rinjohur me botën që e rrethon, e sidomos familjen e braktisur. Apo edhe drama, “Sonata e fantazmave” të të njëjtit autor e që është vepra e parë, e rishkruar, moderniste, e Strindbergut. Këto drama, sikurse edhe në ato të Anton Çehovit (Pulëbardha, Daja Vanja), të Pirandelos (Gjashtë personazhe kërkojë autorin, apo Henri i IV-të), apo edhe të Bernard Shout (Shtëpia e vejushës, Profesioni i zonjës Uoren), pse jo edhe drama Mbreti Ubu i Alfred Zharisë, kanë të bëjnë me hulumtimin e fatit të individit për ta zbuluar atë që në fakt është dhe përpjekje e tij për gjetjen e vendit, të synuar, në botën të cilës i përket. Këto drama, i tejkalojë ato që mund të konsiderohen veçorive identifikuese të dramës moderne, e ku, një prej elementeve më domethënës është ai i gjykimit të shoqërisë e cila e ka për guxim, që në bazë të ligjeve të gënjeshtërta morale, të cilat as vetë nuk i respekton, të ua krijojë rrethanën e pandërgjegjshme të fajit të individëve të caktuar.

Çështja e dikotomive në dramat e Ibsenit dhe ato të Strinbergut, që krijojnë, “hapësira prodhuese” si zona mbivendosjeje, gjegjësisht zona “pajtimi” në vepër

Me logjikën e tij, fuqishëm të mbështetur në vepra relevante dhe tematike të dijetarëve të përzgjedhur, autori i librit “Kthesë e dramës modern (shek. XIX-XX) – Dramaturgjia e Ibsenit dhe e Strindbergut” këtu na e zbërthen faktin se, hulumtimi i marrëdhënieve dhe i ndërthurjeve të mundshme të subjektit për të cilin bëhet fjalë, në vetvete, nënkupton një angazhim thelbësor në marrëdhëniet midis realitetit të pafund dhe të fiksionit të kornizës si dhe ndërthurjen e mundshme të subjektit për të cilin flet edhe vetë autorit i një vepre, ndërmjet “Un-it” dhe „Un-it të dytë“ (Frojdi); ndërmjet individuales dhe kolektives, e kështu me radhë. Kjo ndërlidhet me mësimet teorike të Kornfeldit, të nxjerra në pah, në pjesën e mësipërme të kësaj analize. Duke bërë përpjekje që paradokset e përmendura t’i përfshijë në mënyrë të arsyeshme dhe të kujdesshme në temën e subjektit folës dhe autorit në letërsinë dramatike, sipas Kullashi, në rastin e dikotomive në dramat e Henrik Ibsenit apo edhe në ato të August Strinbergut, gjejmë, mjaft, “hapësira prodhuese” si zona mbivendosjeje, gjegjësisht zona “pajtimi”, siç e thekson në studimet e tij, Gravieri, sidomos, kur flet mbi të vërtetën dhe të vërtetën estetike si dhe për kornizat e veprës artistike.

Është mëse e qartë se në këtë studim të ngjeshur Kullashi synon t’i gjejë lidhjet komplekse dhe të pathyeshme midis autorit të veprës, pozicionit të autorit në vepër dhe subjektit folës përmes depërtimit të realitetit në art apo edhe të artit në realitet, ku ndikimi, rrëshqitja apo edhe derdhja e një sfere në një tjetër sferë ndodh, pothuajse, si në një proces kimik ndërsa kuadri artistik ndërtohet, krejtësisht, si një tërësi e re. Është ky një proces autorial i cili, në dramaturgjinë moderne, e dëshmon se shkrimtari, në rastin më konkret, dramaturgu, faktikisht, nuk mund të identifikohet me subjektin folës ose të mbetet në pozicionin e autorit si qytetar, por domosdoshmërisht e mban një pozicion të jashtëm për shkak të mundësisë së objektivizimit të procesit të inkuadrimit, të rikontekstualizimit të një pjesë e shkëputur nga realiteti në vepër e që është, diçka e bollshme, sidomos, në dramat e Ibsenit, ato të Strinbergut, të Çehovit, të Shout, të Pirandelos, apo edhe të modernistëve të tjerë.

Përpjekja që të provohet fakti se drama moderne është ajo që i relativizoi mjediset e teatrit dhe të mendimit tradicional mbi të

Kreu i tretë i librit të Kullashit flet për teatrin ekspresionist dhe teatrin intim të Strindbergut, për Strinbergun dhe natyralizmin, për gruan vampir, për karakterin dhe shpirtin, për teatrin e ëndrrës si teatër të ri, teatrin intim, për marrëdhëniet e realizmit dhe modernes, jetën e mumifikuar, për aftësinë dhe përplasjet brenda çiftit, ëndrra ndërmjet simbolizmit dhe natyralizmit etj.

Pra, kjo tregon se këtu për Kullashin është, mëse, e qartë se, të mendosh për dramën do të thotë, domosdoshmërisht, të mendosh për personazhet dhe veprimin si parim të saj konstruktiv; ndonëse ekziston edhe një ndërvarësi ndërmjet këtyre elementeve, me ç’rast, sidomos, autori i dramës, ka arsye të mendojë për ato që e ndërmjetësojnë pozicionin e tij dhe të folësit në dramën moderne. Megjithatë, analiza e çdo rasti individual të ndërmjetësimi shpie në një pikë përfundimtare të përbashkët në të cilën, drama moderne, kuptohet, domosdoshmërisht, si një formë sociale, si një formë komunikimi, por edhe si një fakt dhe fat kolektiv. Për Kullashin, por edhe sipas autorëve që i përdorë në studimin e tij ai, mund të konstatojmë se, teksti dramatik, në të njëjtën kohë, është gjithmonë kontekstual, i lidhur me epokën dhe varet nga përvoja lexuese e individit.

Autori i këtij hulumtimi shterues, duke përzgjedhur dramaturgë të shquar si Ibseni dhe Strindbergu, përpiqet ta provojë faktin e njohur se si drama moderne është ajo që i relativizoi mjediset e teatrit dhe të mendimit tradicional mbi këtë lloj arti. Duke përjetësuar të njëjtat çështje përmes prizmave të ndryshëm, Muhamedin Kullashi, i piketon dy momente, veçanërisht të rëndësishme dhe vendimtare e që ndërlidhen me fillet e dramës moderne. Këto e kuptojnë shfaqjen e regjisorit si një ndërmjetës tjetër i mundshëm në dramë, i cili do të ndryshoi shumë pozicionin e autorit dhe fillimin e shpërbërjes së ngadaltë të narracionit dhe deskripsionit në vepër, gjë për të cilin, dikur, në fillet e shekullit të kaluar, shkroi edhe Luigji Pirandelo duke iu referuar ambivalencës teatrore.

Kullashi, duke konkluduar në frymën e asaj që e thotë Hans Ties Lemani se: “Maskat ndryshojnë vazhdimisht. E kush do të vendosë çfarë maske dhe çfarë pozicioni do të analizojë dhe renditë në një vepër”, mendojmë se këtë çështje e sqaron, pikërisht në kapitullin e tretë të librit, përmes shembujve shumë simptomatikë të dramave të dy autorëve kult, skandinav, nismëtarë të dramës moderne dhe prijatarëve të saj historik: Ibsen dhe Strindberg.

Teksti dramatik duhet të lexohet, respektivisht, në të, të thuhet ajo që duhet thënë, e jo që mbi të të psikologjizohet, të abstragohet apo edhe të supozohet

Libri “Kthesë e dramës modern (shek. XIX-XX) – Dramaturgjia e Ibsenit dhe e Strindbergut” Analiza”, përmban një studim jashtëzakonisht të detajuar të dramave të këtyre dy shkrimtarëve, duke e shpërfaqur, jo vetëm dinamikën e ndryshimeve në subjektin dramatik, por edhe besimin e patundur të vetë autorit të këtij studimi se, në të menduarit shkencor, është e nevojshme të largohemi nga zbërthimi i teorive të ndryshme – dhe thjesht të ktheheni me kujdes tek leximi. Si dhe atë se, nuk është e nevojshme të psikologjizohet, abstragohet apo edhe supozohet për një tekst dramatik, por vetëm se në të duhet të lexohet, respektivisht të thuhet ajo që duhet thënë.

Këtu, Kullashi na paralajmëron se, të flasësh për Ibsenin do të thotë të flasësh për lojëra individuale dhe sociale të maskuara, apo, të flasësh për Strindbergun, do të thotë të kujtosh veten për botën e tij të rrëmujshme dhe ta vëresh shpërbërjen e një imazhi të tillë jetësor. Me një fjalë, akademik Muhamedin Kullashi, na e shpjegon, si me këmbëngulje, nevojën për t’u kthyer në periudhën në të cilën nisën të formoheshin maskat e dramës moderne e që është periudha në të cilën lindi drama si formë autonome dhe të cilën ky autor, jo rastësisht, e kujton intensivisht në fillim dhe në fund të librit të tij i cili është një kontribut i jashtëzakonshëm në shkencën e filologjisë, të filozofisë e sidomos të dramaturgjisë, për çfarë është i preferueshëm që të jetë pjesë e kurikulave universitare në Kosovë, Shqipëri si dhe në Maqedoninë e Veriut.

(Kjo kumtesë është lexuar me rastin e promovimit të librit “Kthesë e dramës modern (shek. XIX-XX) – Dramaturgjia e Ibsenit dhe e Strindbergut”, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të…