Në shtëpinë e prefektit të Mitrovicës, Xhafer Deva

08 shkurt 2022 | 13:47

Shtëpia e veprimtarit të rëndësishëm politik dhe atdhetarit shqiptar të shekullit të kaluar, Xhafer Devës, gjendet në qendër të qytetit të Mitrovicës, në pjesën jugore të këtij qyteti, ku ka qenë edhe pjesa e vjetër e këtij qyteti.

Është një shtëpi që edhe sot duket e bukur pavarësisht prej shndërrimeve të njëpasnjëshme që ia kanë bërë valët e kohës, që e tjetërsuan objektin për nevoja të ndryshme të pushteteve dhe administratave të vendosura në Kosovë dhe qytetin e Mitrovicës. Kjo shtëpi u ndërtua në vitin 1930 si një shtëpi banimi për familjen e madhe të Xhafer Devës. Ai ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të kohës, një atdhetar dhe një antikomunist i paepur. Ai ka mbajtur pozita të rëndësishme shoqërore para Luftës së Dytë Botërore, kur edhe ishte për një kohë prefekt i Mitrovicës, ndërsa në vitet 1943 dhe 1944 ishte ministër i Brendshëm në qeverinë shqiptare të kohës. Ishte një nga eksponentët kryesorë të forcave djathtiste e nacionale shqiptare gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Pas përfundimit të luftës së sipërcekur, Xhafer Deva ishte në shënjestër të komunistëve jugosllavë, andaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe vdiq në vitin 1978. Xhafer Deva vlerësohet për konsistencë të politikave të djathta nacionale si dhe për korrektësi në raport me hebrenjtë, të cilëve u doli në mbrojtje, përkundër që qeveria shqiptare e kohës, kur ai ishte ministër, kishte një bashkëpunim të mirë me nazistët.

Shtëpia e Xhafer Devës është një nga pikat më të veçanta e më të rëndësishme të qytetit të Mitrovicës, gjë që na jep shenjë se para Luftës së Dytë Botërore në këtë qytet ishin të përqendruara elitat më të rëndësishme politike dhe kulturore të vendit. Kjo shtëpi ka një arkitekturë moderne dhe ndërtimi i saj shënjon kalimin nga arkitektura me karakteristika orientale në arkitekturën me karakteristikë oksidentale perëndimore. Stili i saj ngjan në ndërtimet sipas modelit të arkitekturës që cilësohet austro-hungareze. Një objekt i tillë në qytetin e Mitrovicës ishte edhe ish-hotel “Adriatiku”, që është goxha i ngjashëm për nga modeli i ndërtimit me ish-hotel “Unionin” në Prishtinë. Të dyja objekteve të lartpërmendura të trashëgimisë arkitektonike austro-hungareze u është ndërruar veprimtaria dhe sot funksionojnë për diçka tjetër. Ndërkaq, shtëpia e Xhafer Devës ende ka mbetur si shtëpi monumentale, si monument kulturor, përkundër shumë përpjekjeve që edhe asaj t’i ndërrohet veprimtaria. Ndoshta edhe kjo do të ketë qenë arsyeja e mundshme e djegies së saj në vitin 2015, në mënyrë që veprimtaria e saj të jetë më lehtë e pranueshme. Por, fatmirësisht, dëmet e djegies së saj janë sanuar dhe, falë dashamirësisë së njerëzve që kanë vullnet të mirë dhe kujtesë historike dhe kulturore, shtëpia e personalitetit tij ka mbetur ende  monument kulture.

Prania e një shtëpie të tillë, të madhe e me përkatësi arkitekturore evropiane, tregon për një orientim perëndimor të elitave tona kulturore dhe politike pas viteve ’30 të shekullit të kaluar. Po ashtu, tregon edhe për një aristokraci të spikatur në kuptimin e vërtetë të fjalës, e cila ishte krijuar në gjysmën e parë të këtij shekulli, që me ardhjen e komunizmit jugosllav, një aristokraci e formësuar tashmë u shthur dhe kulturalisht në këtë plan vendi zbriti në pikën zero. Në pikën ku nuk i kishte më shtyllat, familjet e mëdha dhe personalitetet e rëndësishme që e mbanin mbi supe trajektoren e zhvillimit të vendit tonë.

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë është simbol i një të kaluare kulturore e historike të Kosovës që nuk bën të harrohet. Simbol i një kohe që është mirë të kujtohet për t’iu rrëfyer brezave të tashëm dhe të ardhshëm që politikat që synojnë fillimin e historisë nga pika zero vetëm dëme mund t’i bëjnë atdheut.

Shtëpia e Xhafer Devës është një ndërtim masiv, e ndërtuar me tulla argjile dhe materiale druri e guri, ndërsa mbulesa e saj është me qeremide. Gjatë nëntorit të vitit (2020), kur e vizituam këtë shtëpi, ajo ishte duke u restauruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe shpresojmë që një gjë të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që ajo të hapet për vizitorët e shumtë dhe kureshtarët për të kaluarën tonë historike, politike dhe kulturore.

MKRS-ja dhe komuna e Mitrovicës së Jugut duhet të kenë një interesim të shtuar për këtë shtëpi, duke e vendosur në të një udhëzues të dijshëm që do të dijë t’ua shpjegojë atyre rëndësinë e madhe të kësaj shtëpie për të kaluarën e Kosovës. Po ashtu, duhet të sensibilozohet në medie dhe opinion rëndësia e saj, në mënyrë që të nxiten vizitorë që përmes një vizite të mundshme, të mësojnë më shumë për të kaluarën e vendit tonë.

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat i hoqi redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jose Dinis Aveiro, babai i Cristiano Ronaldos, ka qenë gjithmonë…