“Armagedoni” boton romanin “Shtjellat e një qyteti” të Rifat Muriqit

28 tetor 2022 | 15:35

Shkrimtari Rifat Muriqi ka dorëzuar në shtyp romanin Shtjellat e një qyteti. Sipas botuesit të tij, Berat Armagedoni, Muriqi ka begatuar letërsinë shqipe me këtë roman, sidomos me personazhin Zenelin. Libri do të dalë nga shtypi të martën dhe nga e mërkura do të shpërndahet nëpër librari. Shënimi i botuesit në kapakun e librit:

Para këtij i ka shkruar tre romane. I ka botuar, dy të parët (Fati i dervishit dhe Hana vendos të shkruajë) tetë vjet më parë, të tretin (Njeriu që donte të vdiste) gjashtë vjet më parë. Pasi e lexova romanin e tij të fundit, Shtjellat e një qyteti, doja të dija arsyen pse Rifat Muriqi ka pritur gjashtë vjet ta botojë një të ri. Ende s’e kam pyetur. Po nëse gjatë këtyre gjashtë vjetëve ka punuar vetëm në këtë roman e nuk e ka shkruar edhe një tjetër, e arsyetoj. E arsyeton puna. E arsyetojnë ndreqjet stilistike. Enigmat. Personazhi i pazakonshëm në letërsinë shqipe. Kur redaktori Adem Gashi ma propozoi për lexim dhe botim romanin e Muriqit, më foli pak edhe për përmbajtjen e tij. Lashë mënjanë disa dorëshkrime të tjera, të disa autorëve, e shtypa një kopje dhe e lexova me laps në dorë romanin e Muriqit. Gjeta në të jo një temë të patrajtuar, po një personazh të panjohur në letërsinë shqipe. Një personazh të ri. Një personazh që paraqitet shurdhmemec e që nuk është i tillë. Një personazh që gjatë gjithë jetës vetëm mbledh informacione për punën dhe karakteret e persona(zheve) të tjera dhe, në fund të kapitullit të jetës, shkruan një ditar për përjetimet e veta emocionale dhe për të bëmat e të bërat e të tjerëve në qytetin e lindjes. Ai është vrojtues kritik i një kronike historike. Ai, duke u paraqitur torollak dhe shurdhmemec, dëshiron të dijë çfarë ka ndodhur me prindërit e tij. E lëndojnë në shpirt ato që i ndodhin para syve në qytetin e Pejës, ato që i dëgjon, që i ndien, që i përfytyron. Të gjithë e trajtojnë të mjerë dhe të paaftë. Por, ai është më i mençuri prej tyre. Ai bëhet që nuk kupton asgjë, që nuk di të flasë, që nuk di të kuptojë. Por, ai di çdo gjë për çdonjërin. E di kush është burrë i mirë dhe kush tjetër burrë i keq. Për shkak të “paaftësisë” së tij, atij i besojnë të gjithë. Ia çelin dyert e oborrit, të shtëpisë, të banesës, të studios, të zyrës, kohë e pa kohë. Boshnjakja Esma, edhe të zemrës. Ajo dhunohet në moshën e rinisë, humbet virgjërinë nga një burrë i vjetër dhe detyrohet nga familja të martohet me të. Megjithatë, fëmijët nuk i bën me të. I bën me Zenelin, me shurdhmemecin, i cili, përpos që di të bëjë dashuri, është i aftë ta lë shtatzënë tri herë. Rrjedha e jetës së tyre është edhe e mjerë, edhe e dhimbshme. Aspak më e këndshme nuk është e të tjerëve, e zullumqarëve, e bashkëpunëtorëve të regjimit, të cilët, në fund, kur marrin vesh se Zeneli nuk ka qenë shurdhmemec, por është paraqitur i tillë kur, po ashtu, marrin vesh se ai ka lënë një ditar për vete dhe për të tjerët, trazohen. Prandaj, me Shtjellat e një qyteti, sidomos me Zenelin, Muriqi ka begatuar letërsinë tonë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Erblina N. Tahiraj  Duke qenë se e vërteta ka…