“Flakadani i lirisë” na kujton veprimtarinë dhe sakrificën e Mustafë Shytit

11 mars 2025 | 14:33

Mustafë Shytin e kam njohur në vitet ’90 të shekullit XX. Më saktë ka qenë mesi i viteve ’90 kur kam dëgjuar për të dhe kur e kam takuar për herë të parë. Atëherë, si student i Fakultetit të Filologjisë në Degën e Letërsisë, mbaja takime të shpeshta me poetin dhe mikun tim Jakup Ceraja. Gjatë takimeve poeti Ceraja më fliste për letërsinë, artin, kulturën, historinë, për ngjarje historike dhe perso­nalitete. Ceraja më ka folur edhe për Mustafë Shytin. Më ka folur për vuajtjet, sakrificat dhe atdhedashurinë e tij, për punën e tij si mësimdhënës dhe dashurinë e tij për poezinë. Pa kaluar shumë kohë pata nderin ta takoj dhe unë. Takimin me të e mbaj mend tash e tri dekada. E kam takuar në Mitrovicë, e kam takuar në një event, e kam takuar me rastin e shënimit të 40-vjetorit të krijimtarisë së poetit Ceraja. Ky ishte takimi im i parë me Mustafën. Herën e dytë e kam takuar në përurimin e librit “Për­derisa është e martë” të poetit Sabit Idrizi. Edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë më ka bërë përshtypje mode­stia e tij, qëndrimi serioz, pak hijerëndë, i heshtur, por mbresëlënës me sjelljen e tij të kulturuar. Binte në sy kultura e tij e dëgjimit kur të tjerët flisnin ose lexonin kri­jimet e tyre. Gjatë orëve letrare, që mbaheshin në atë kohë në Mitrovicë, në mesin e atyre që lexonin poezitë e tyre ishte edhe Mustafë Shyti. Në poezitë e tij ai shprehte revoltën kundër pushtuesve, kundër të keqes. Pas rënies së tij dhe pas luftës së UÇK-së e kam lexuar librin e tij me poezi “Pranverë gjaku” (Mitrovicë, 2001) dhuruar nga familjarët. Gjatë leximit të poezive shihet se motivi krye­sor është atdhedashuria. Atdhedashuria është lajtmotivi i poezisë dhe i jetës së tij. Poezia e tij është poezi e kohës dhe e rrethanave. Poezinë e mendon dhe e përdor si mjet dhe mënyrë për të goditur të keqen si dhe për t’u mbrojtur nga e keqja. Në poezi ai shpreh ndjenjat dhe përjetimet e tij, dhimbjen për vuajtjet e popullit të cilit i takon, ëndrrat dhe idealet, krajatat jetësore dhe atdhedashurinë e tij, gatishmërinë e tij për të sakrifikuar për lirinë, për atdheun e për bashkimin kombëtar. Poezia e tij nuk veçohet shumë për figuracion dhe nëntekst, por për emocion, revoltë dhe mesazh të hapur. Nga poezia çfarë e shkruante Mustafë Shyti kam mësuar ato që mund të mësohen nga poezia, kam mësuar për motivet, temat, lajtmotivin e poezisë së tij, për subjektin lirik, strukturën e kompozicionin e saj. Si në poezi edhe në jetë u qëndroi besnik idealeve të tij jetësore. Ai jetoi, veproi dhe sakrifikoi për to. Kjo mund të vërehet jo vetëm kur lexon poezitë e tij, por edhe pasi të lexohet libri i Bedri Tahirit Flakadani i lirisë (monografi për mësuesin, poetin dhe dëshmorin Mustafë Shyti).

Këtë dorëshkrim ma solli vajza e Mustafë Shytit, Jehona. Ajo shprehu dëshirën (bashkë me autorin) të jem recensent i librit. Pranova me kënaqësi, sepse persona­litete si Mustafë Shyti janë faqe të ndritura të historisë dhe të kohës, prandaj e kemi obligim të flasim dhe të shkru­ajmë që të mos harrohen. Autori i 50 veprave letrare, publicistike dhe historike, Bedri Tahiri, të cilin profesor Agim Vinca jorastësisht e ka quajtur apologjet, ka bërë punë të fisme me këtë libër. Gjatë leximit të librit në dorëshkrim mësova më shumë për krajatat jetësore të Mustafë Shytit, mësova ato që duhet t’i mësojnë edhe të tjerët, sidomos gjeneratat e reja. Tani mund të them se e njoh më mirë, e njoh ashtu siç nuk e kam njohur, e njoh si një personalitet që ka lënë gjurmë në jetë, që ka zënë vend në faqen më të re të historisë së Kosovës, sidomos për sakrificën e tij sublime. Duke lexuar artikujt dhe poe­zitë e Mustafë Shytit, duke lexuar rrëfimet e familjarëve, të nxënësve dhe kolegëve të tij të arsimit, të penës e të pushkës të përfshirë në këtë dorëshkrim; duke lexuar fund e krye librin në fjalë, lexuesi mund të krijojë një opinion, një përfytyrim real se kush ishte në të vërtetë Mustafë Shyti, i cili erdhi në jetë në vitin historik (tetor 1945) të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në kohë e rrethana historike (1968, 1981, 1989) për Kosovën ai u radhit në anën e duhur të historisë, mori pjesë dhe orga­nizoi protesta e demonstrata kundër pushtuesit. Atdheta­rizmin e tij e vazhdoi në vitet ’90 si mësues dhe si poet, kurse e përfundoi kapitullin e jetës duke u flijuar për Kosovën dhe lirinë e saj në vitin historik (1998) të Epo­pesë së UÇK-së si luftëtar i lirisë, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, Mustafë Shyti erdhi në jetë në kohë lufte e robërie, gjatë jetës së tij luftoi robërinë (me penë e me pushkë), jetoi, veproi dhe sakrifikoi në kohë e rrethana historike, për t’u bërë pashmangshëm pjesë e historisë. I tillë del edhe në librin e autorit Bedri Tahiri.

*

Bedri Tahiri e ka njohur Mustafë Shytin, e ka njohur si mësimdhënës, si atdhetar dhe si poet. E ka njohur, e ka takuar dhe ka biseduar me të. Ka dëgjuar për të bëmat e tij, ka dëgjuar rrëfime e biseda për të, ka lexuar shkrimet e tij të botuara e të pabotuara. Ka lexuar pothuajse çdo gjë që ka shkruar dhe botuar protagonisti, ka lexuar pothu­ajse çdo gjë që kanë shkruar të tjerët për aktivistin, atdhe­tarin, mësuesin e poetin. Duke e njohur, duke dëgjuar e lexuar pothuajse çdo gjë që është thënë e shkruar për të, Tahiri ka pasur në dispozicion të dhënat e mjaftueshme, faktet e nevojshëm që kërkohen në raste të tilla. Duke e njohur nga afër, duke kaluar afërsisht të njëjtat shtigje, nëpër të njëjtat rrethana, nëpër të njëjtat ngjarje e histori në të cilat ka kaluar protagonisti, autori shkruan për të me shumë pasion. Shkruan për jetën dhe veprimtarinë e tij, shkruan për krahinën, vendlindjen e traditën e tij fami­ljare, për babë e për gjysh, për Mustafën si nxënës i shkel­qyeshëm me sjellje shembullore, për studentin e zell­shëm, për pasionet e tij për lexim, recitim, këndim dhe si instrumentist; për mësimdhënësin, poetin, atdhetarin dhe organizatorin e aktiviteteve të lira, letrare, kulturore dhe atdhetare. Autori shkruan edhe për karakterin e tij, madje edhe për veshjen e dukjen e tij, që në monografi, çfarë shkruhen zakonisht, nuk janë të shpeshta. Një hapësirë e caktuar është rezervuar edhe për pjesëmarrjen e tij në protesta dhe në organizimin e tyre, për keqtrajtimet e tij, për izolimin, burgosjen dhe vuajtjet e tij. Ai shkruan, gjithashtu, për mësimdhënësin patriot i cili në kohë e rrethana robërie veçohej shpesh nga të tjerët me cilësi, guxim e pasion. Mustafa e dëshmoi se ishte shpirt kriju­esi, ishte përbashkues, prandaj jorastësisht mori pjesë në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve për çka shkruan edhe Tahiri. Autori shkruan ashtu siç autori e ka njohur per­sonalisht, ashtu siç i kanë rrëfyer dhe të tjerët. Mbi bazën e këtyre motiveve, njohurive, rrëfimeve dhe fakteve autori ka ndërtuar, i ka dhënë formë rrëfimit, strukturë dhe kom­pozicion tekstit.

*

Tipi i shkrimit të cilin e shkruan tash e sa kohë Bedri Tahiri është një kombinim mes fejtonistikës, publicisti­kës, historisë dhe letërsisë. I tillë është edhe ky i përtashmi. Tema këtu është një personalitet, është Mustafë Shyti i vlerësuar nga bashkëkohanikët, i dekoruar nga institu­cionet më të larta shtetërore, pra edhe nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Tema ka një shtrirje kohore nga lindja e protagonistit (1945) e deri në rënien e tij (1998). Libri, në aspektin formal, është struk­turuar në katër kapituj: “Jeta dhe veprimtaria e Mustafë Shytit”, “Bota poetike e Mustafë Shytit”, “Kujtime, mendime dhe vargje për dëshmorin Mustafë Shyti” dhe “Rikujtime e plotësime”. Kapitulli i parë është më i gjati, më përmbaj­tjesori dhe më gjithëpërfshirësi. Është kryekapitulli në të cilin mund të lexojmë për jetën dhe veprimtarinë e tij nga lindja deri në vdekje, për veprimtarinë e tij si nxënës, si student, si aktivist politik e atdhetar, si pjesëmarrës dhe organizator i protestave dhe demonstratave; si fëmijë, si vëlla, si bashkëshort, si prind, si familjar, si mësimdhënës, si pjesëmarrës në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve mes shqiptarëve, si poet e si luftëtar me vizion të qartë për jetën, me pasion dhe gatishmëri për të sakrifikuar për idealet. Kapitulli i dytë është më i shkurtër, por edhe tipi i shkrimit ndryshon nga i pari. Në këtë rast, autori Tahiri, përveç që paraqet përshtypjet e tij për Mustafën dhe poezinë e tij, ai ka radhitur në disa faqe opinionet, men­dimet dhe pikëpamjet e lexuesve që e kanë njohur Mustafë Shytin dhe e kanë lexuar krijimtarinë e tij. Pra, te ky kapitull theksi është vënë te opinionet dhe mendimet e të tjerëve për një krijues që ka lexuar dhe shkruar me emocion artikuj gazetareskë e poezi, por që fati i jetës nuk deshi që ai të vazhdonte e të thellohej më tutje. Autori dhe lexuesit tjerë, qofshin të zakonshëm a model, flasin, shkruajnë dhe japin mendimet e tyre për motivet, temat, figurat stilistike, për mënyrën e ligjërimit, strukturën, anën kompozicionale të vjershave, poezive, poemave dhe librave të poetit. Ashtu siç dallon kapitulli i dytë nga i pari, po ashtu dallon edhe kapitulli i tretë nga dy të parët, ndryshon qasja, ndryshon mënyra e ndërtimit të tekstit. Në këtë pjesë, në këtë kapitull, autori nuk rrëfen, por regjistron e përshkruan ato që të tjerët kanë thënë, regji­stron kujtimet që të tjerët kanë evokuar për protagonistin, për jetën dhe të bëmat e tij, por edhe për pasionin, mis­ionin, vizionin dhe krijimet e tij. Rikujtime e plotësime është kapitulli i fundit me të cilin përfundon rrëfimi për temën, për protagonistin, por libri përmbyllet me shkrimin “Përfundim”. Librit nuk i mungojnë burimet dhe litera­tura, të domosdoshme për një libër të tillë. Dorëshkrimet e pabotuara, artikujt e librat e botuara nga protagonisti, monografitë, librat me kujtime dhe ditarët e shkruar dhe botuar nga autorë të tjerë; artikujt e ndryshëm nga autorë të ndryshëm të botuara në gazeta e revista të ndryshme janë referencat kryesore.

Për lexuesit, besoj, janë me interes edhe rrëfimet e bashkëshortes së protagonistit, vëllezërve, motrave, vaj­zave e djemve, të kolegëve të shkollës e të studimeve, të veprimtarëve të organizatave të fshehta me të cilët ka bashkëvepruar, por dhe bashkëluftëtarëve të betejave. Ato janë referenca shtesë që i kanë dhënë mundësi autorit të këtij libri ta plotësojë informacionin, ta zgjerojë rrëfi­min dhe temën, ta paraqesë më hollësisht karakterin dhe personalitetin e Mustafë Shytit. Autori, në raste të cak­tuara, shërbehet edhe me kujtime e njohuri që ka ai per­sonalisht për Mustafën, por edhe me vjersha që atij ia kanë kushtuar të tjerët. Autori është kujdesur që të hulumtojë, të mbledhë, të grumbullojë, të sistemojë dhe t’i shfrytë­zojë edhe faktet e tjera që i shkojnë natyrës së librit. Ato janë: dorëshkrime e dokumente arkivore të papublikuara, faksimile dokumentesh të publikuara, fotografi të botuara e të pabotuara, artikuj gazetash e revistash; letra, mirë­njohje, pllakate e dekorata nga organizata, institucione arsimore e kulturore, madje edhe nga presidenti Hashim Thaçi i cili e ka dekoruar dëshmorin Mustafë Shyti me Urdhrin “Hasan Prishtina”. Si edhe në librat e mëpar­shëm, edhe te ky për të cilin po flasim, gjuhës së autorit, diskursit të tij, nuk i mungojnë fjalët, shprehjet, frazeo­logjizmat, vargjet dhe këngët popullore, opinionet, mendi­met e thëniet e personaliteteve, por edhe figurat stilistike (epitetet, krahasimet, simbolet, hiperbola etj.). Diskursi i tij është apalogjetik, sepse zhanri i shkrimit është i tipit të apologjisë. Ajo çka është e rëndësishme të përmendet me këtë rast është fakti se tekstin që e shkruan Tahiri lexuesit i qasen lehtë, është i lexueshëm dhe i kuptueshëm, përçon mesazhin te lexuesit e të gjitha niveleve.

*

Teksti shkruhet për t’u lexuar. Lexuesi e lexon tekstin për motivet, për temat, për subjektin, për mesazhin që autori dhe teksti bartin, për kohë e rrethana. Lexuesi kalon nëpër shtigje të ndryshme të tekstit. Gjatë leximit të tekstit lexuesi kërkon ato që i interesojnë, por ka raste kur kërkesat e lexuesit nuk përputhen me ato çfarë ka shtjelluar dhe si i ka trajtuar autori për arsye të ndryshme.

Mirëpo, edhe teksti çfarë e shkruan Bedri Tahiri e ka lexuesin e vet. Lexuesin e vet e ka edhe ky tekst që e ka shkruar ai për mësimdhënësin e poetin Mustafë Shyti. Te tipi i këtij shkrimi lexuesi kërkon edhe faktografi, të cilat nuk mungojnë. Lexuesit e këtij libri, pavarësisht a janë nxënës, studentë, mësimdhënës, historianë a studiues, pavarësisht nëpër cilat shtigje të tekstit kalojnë, do të mësojnë për fatin e individit dhe kolektivit në kohë e rrethana sfiduese, veçanërisht për jetën dhe veprimtarinë e Mustafë Shytit në vitet ’60-’90 të shekullit XX.

Si një nga lexuesit e veprave të Bedri Tahirit kam për­shtypjen se askush më shumë dhe askush më me pasion nuk ka shkruar për dëshmorë, heronj, martirë; për burra e gra, për vajza e djem që kanë dhënë jetën për liri. Janë dhjetëra libra (mbi 50), qindra artikuj, mijëra faqe të shkruara dhe botuara nga ky autor për të rënët për liri. Janë shumë orë, janë shumë ditë e net, javë e muaj, por edhe vite e dekada kohë, mund, energji e përkushtim që autori ua ka kushtuar martirëve, dëshmorëve, heronjve, personaliteteve dhe ngjarjeve historike. Sepse të panu­mërta e të pamatshme janë edhe vuajtjet e sakrificat e atyre që kanë dhënë çdo gjë për lirinë dhe atdheun, për të cilët shkruan me synimin dhe qëllimin që ata të mos harrohen. Që të mos harrohet as puna, as mundi, as vep­rimtaria dhe as sakrifica e Mustafë Shytit dhe familjes së tij, ka kontribuar edhe Bedri Tahiri. Kontributi i tij është i dukshëm, është për t’u përshëndetur, është fakt i pamo­huar, për çka duhet vlerësuar. Tahirin duhet ta vlerë­sojmë edhe për faktin se askush më shumë dhe askush si ai nuk ka arritur të përmbledhë të dhëna për Mustafë Shytin brenda dy kopertinave të një libri.

Fjala e recensentit të librit “Flakadani i lirisë : monografi për mësuesin, poetin dhe dëshmorin Mustafë Shyti”, Miftar Kurtit

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dashur dhe të nderuar familjarë të familjes Shyti, Miq…