Humbjet e bizneseve, të pallogaritshme

21 janar 17:56

Për Hotel Magra Austria në Bogë të komunës së Pejës dhe Hotel Magra Austria 2, në Bërnicë të Epërme të komunës së Prishtinës, humbjet janë të pallogaritshme gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, thotë pronari i këtyre hoteleve, Skënder Thaçi.

Ai tregon se në hotelin në Bogë, vitin e kaluar nuk ka pasur klientë të mjaftueshëm, kurse në Hotelin Magra Austria 2 në Prishtinë, përjashtuar vitin e kaluar, për çdo vit ka pasur organizime të dasmave apo tubime të ndryshme familjare.

Nga mosorganizimi i ndejave dhe ndalimi i grumbullimit të qytetarëve si pjesë e masave kufizuese të Qeverisë në detyrë, fitime në qarkullim nuk ka pasur, thotë Thaçi.

Për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit, me vendim të Qeverisë nga muaji mars i vitit të kaluar, ka qenë i ndaluar organizimi i dasmave.

“Problemet financiare kanë filluar në muajin qershor, pas lehtësimit të masave për lëvizje, sepse u rritën shpenzimet dhe ato ishin kolosale, pasi puna nisi nga fillimi. Çdo ditë duhet të përgatitesh, të mbash një numër të të punësuarve, kurse për shkak të masave, kanë munguar klientët. Ne nuk mund të llogarisim fitimin e humbur, sepse është e pallogaritshme”, thotë Thaçi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në territorin e Kosovës janë të regjistruara rreth 20 mijë biznese në sektorinë e gastronomisë.

Për t’u dalë në ndihmë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë tre milionë euro për të subvencionuar sektorin e gastronomisë. Në këtë sektor hyjnë, restorantet, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese, si dhe aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit. Duke përjashtuar restorantet që kanë punuar me orar të kufizuar, varësisht nga lejimi i masave, aktivitetet tjera e kanë pasur të ndaluar zhvillimin e veprimtarive të tyre, për shkak të masave kufizuese të Qeverisë së Kosovës.

Shuma prej tre milionë eurosh, po duket qesharake dhe e pamjaftueshme për Skënder Thaçin, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë.

Disa biznese që nuk kanë punuar nga muaji mars, thekson ai, janë afër falimentimit dhe kjo vlerë nuk mjafton për rimëkëmbjen e tyre. Thaçi thotë se qeveria në detyrë në fokus është dashur t’i ketë bizneset, në mënyrë që më pas këto të krijojnë vende të reja pune, rrjedhimisht të përmirësohet gjendja sociale.

“Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria në detyrë e ka shndërruar në pako sociale. Kjo, sepse vlera prej tre milionë eurosh është e papërfillshme dhe unë nuk e di se si do t’i mbulojnë humbjet dhe shpenzimet e sektorit të hotelerisë, gastronomisë dhe të tjerëve, se ky sektor është i lidhur zinxhir me biznese tjera”, shprehet ai.

Edhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, është i pakënaqur në përgjithësi me shumën e ndarë për bizneset nga Plani për rimëkëmbje ekonomike.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ai thotë se ishte paraparë që të ndahen më shumë se 200 milionë euro për sektorin privat që ka pësuar humbje nga pandemia.

“Është mirë që është ndarë një buxhet i veçantë për gastronominë. Por, megjithatë duke pasur parasysh humbjet e mëdha që kanë pasur sidomos bizneset që nuk kanë punuar fare, siç janë hotelet, sallat e dasmave, nuk e di sa do të jetë i mjaftueshëm”, thekson Rukiqi.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës, në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, më 15 janar ka ndarë për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tre milionë euro për të subvencionuar sektorin e gastronomisë.

Pavarësisht shumës, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se pret alokimin e mjeteve nga Ministria e Financave në mënyrë që të fillojë procedura e aplikimit, rrjedhimisht shpërndarja e mjeteve.

Krasniqi tregon se subvencionimi i këtyre bizneseve do të realizohet në bazë të humbjeve që kanë pasur gjatë periudhës së pandemisë, ndërkaq prioritet do të kenë bizneset që nuk kanë punuar fare.

“Ne jemi duke i përgatitur kriteret në bazë të udhëzimeve që kemi në fuqi. Ajo që do të kërkohet nga biznesi, është që t’i paraqesë humbjet financiare dhe sa ka qenë periudha e mbylljes, sepse veprimtaria nga veprimtaria dallon”, thekson Krasniqi.

Por, ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se shpërndarja e mjeteve do të realizohet në bazë të grumbullimit të mjeteve në buxhetin e Kosovës.

“ Ky është program njëvjeçar, sepse buxheti është projeksion. Në muajin janar ne nuk e kemi në dispozicion buxhetin e aprovuar 2.4 miliardë euro. Normalisht, sipas projeksioneve tona 1/12 vjen në muajin janar, mandej 1/12 në muajin shkurt e kështu me radhë. Ndonjë muaj mund të kemi të hyra më të mëdha. Pra, do të thotë me dinamikën e inkasimit të mjeteve, të njëjtën dinamikë do ta përcjellë edhe shpenzimi i këtyre mjeteve”, thekson Bajrami.

Ndryshe, 222 milionë euro është vlera e mjeteve në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje. Ky ligj është miratuar më 4 dhjetor 2020 në Kuvendin e Kosovës, porse ekzekutimi i mjeteve ka qenë i pamundur deri në miratimin e buxhetit të Kosovës, i cili është votuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, më 15 janar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka prezentuar 16 masa për zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021.Në këto masa përfshihet ndihma për sektorin privat, atë shëndetësor dhe skema sociale./ REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e…