Humolli: Nëse nuk respektohen masat mund të ketë rritje të rasteve me Covid
Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se situata aktuale me pandeminë në Kosovë është e njëjtë edhe me shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Ajo ka thënë se tani është një fazë e qetësisë, që është e favorshme dhe shpresëdhënëse. Megjithatë, Humolli thotë se ekziston rreziku i rritjes së rasteve, nëse nuk respektohen masat.
“Faktikisht, gjendja aktuale në Kosovë është e njëjtë me gjendjen në shtetet e rajonit dhe më gjerë. Është një fazë e qetësisë, që është e favorshme dhe shpresëdhënëse, por në këtë rast nuk guxojmë të lirohemi tepër, për shkak se mundësia e rikthimit të rasteve është shumë e madhe dhe një mundësi e tillë ekziston. Një shembull konkret e kemi Anglinë, e cila për një periudhë disamujore kishte rënie enorme të rasteve, mirëpo ditëve të fundit po shihet se rastet janë rritur. Andaj, kjo është shpresëdhënëse, është diçka jashtëzakonisht e mirë, por ne si qytetarë duhet të vazhdojmë t’i respektojmë masat parandaluese dhe kontrolluese”, ka thënë Humolli.
Ajo ka theksuar se numri i rasteve ka rënë për shkak të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe masave restriktive dhe atyre kontrolluese: vendosja e maskës, respektimi i distancës dhe mosgrumbullimi i një numri të lartë të njerëzve në ambiente të mbyllura.
Humolli ka thënë se këta janë tre faktorë të cilët ndikojnë shumë. “Nëse këtyre ua shtojmë edhe komponentin e vaksinimit, atëherë duhet të shpresojmë, dhe është një indikator pozitiv që brenda një kohe, numri i rasteve do të bie dhe do të jetë stabil. Pra, do të jetë një rënie më e qëndrueshme”, është shprehur Humolli.
Ajo ka shtuar se nëse nuk respektohen masat, nëse nuk vazhdojmë që secili prej nesh të japë kontributin në këtë aspekt, ekziston rreziku që të kemi rritje të rasteve.
“Nëse numri i pjesëmarrësve në ahengje, dasma dhe ndeja të ndryshme është i lartë, ku nuk respektohet distanca dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me siguri se do të kemi rritje të rasteve me Covid-19. Ta rikujtojmë, vitin e kaluar në Kosovë numri i rasteve është rritur diku në shtator-tetor, kur i tejkaluam kapacitetet spitalore. Kështu që, rreziku ekziston çdoherë për aq sa ekziston burimi i infeksionit dhe rastet aktive. Në Kosovë, numri i rasteve aktive edhe pse ka rënë dukshëm, këto raste janë burim i infeksionit dhe potencialisht paraqesin rrezik për popullatën e ndjeshme dhe të shëndosh”, ka deklaruar Humolli.



