Hysen Durmishi thotë se ka vendosur të mos garojë për deputet
Ish-deputeti i VV-së, Hysen Durmishi, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Durmishi ka thënë se kjo është bërë me kërkesë të tij dhe pas konsultimit me kreun e VV-së, Albin Kurtin, njëherit kryeministrin në detyrë.
Durmishi ka qenë zëvendësministër në Qeverinë Kurti 2, e më pas edhe ushtrues detyre i Ministrit, pas dorëheqjes së Liburn Aliut.
“E falënderoj Kryeministrin për mirëkuptimin dhe mbështetjen. Jam i bindur se Lëvizja VETËVENDOSJE!, do të dalë bindshëm fituese në këto zgjedhje, madje me rezultat edhe më të madh se ai i 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Angazhimi im do të jetë maksimal për fitoren e madhe që na pret. Prandaj, i ftoj të gjithë ata që më kanë mbështetur mua, si dhe çdo qytetar pa dallim, për mobilizim dhe angazhim të përbashkët drejt fitores sonë”, ka shkruar Durmishi.



