
Hyseni: Me lokacionin e ri të varrezave, Gjilani po bën zgjidhje të problemit për 100 vitet e ardhshme
Kuvendi i komunës së Gjilanit ka mbajtur të hënën një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën ka vendosur lidhur me kërkesën e 14 këshilltarëve për çështjen e lokacionit të ri të varrezave si dhe Fshatin Social.
Pas një debati të gjerë dhe polarizues, propozim-vendimi për shpalljen e interesit publik për pronat në Shillovë për nevoja të varrezave të reja të qytetit është miratuar me 17 vota për dhe 14 abstenime, ndërsa kërkesa e Bashkësisë Islame për dhënien në shfrytëzim të Fshatit Social të Kuvajtit, për nevoja të medresesë, me 19 vota për, është shtyrë për një seancë tjetër.
Kërkesën e Bashkësisë Islame dhe arsyeshmërinë për lokacionin e ri të varrezave e ka paraqitur kryetari i komunës, Alban Hyseni, i cili ka thënë se zgjidhja e këtij problemi është interes i qytetarëve dhe obligim yni, meqë në hapësirën ekzistuese nuk ka më vend për varre të reja dhe se varrmihësit po hasin në eshtra njerëzish.
Duke i ftuar këshilltarët komunalë për miratimin e kësaj kërkese, kryetari Hyseni ka thënë se me lokacionin e ri që ka rreth 20 hektarë sipërfaqe bëhet zgjidhje për 100 vitet e ardhshme.
Sipas kryetarit të KBI, Naim Aliu, gjendja në varrezat ekzistuese është e mjerueshme. Ai ka kërkuar nga anëtarët e Kuvendit që sot të vendosin përtej interesave e ndasive politike dhe ta miratojnë kërkesën për lokacionin e ri të varrezave. LDK-ja, e cila ka abstenuar në këtë pikë, ka thënë se nuk është kundër zgjidhjes së këtij problemi, përkundrazi ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje tjetër, më e mirë dhe më e dinjitetshme, pasi që me Planin Zhvillimor Komunal kjo hapësirë është e planifikuar për zonë ekonomike.
Pas një debati mjaft polarizues edhe sa i përket Fshatit Social, Kuvendi ka vendosur me shumicë votash që kjo pikë të shtyhet për një seancë tjetër.