
I dënuari për terrorizëm prinë marshin në Prishtinë në përkrahje të palestinezëve
Një marsh protestues në mbështetje të Palestinës është mbajtur sot në qendër të Prishtinës.
Një numër i qytetarëve kanë marshuar duke mbajtur në duar banerë , disa prej të cilëve mbanin mbishkrimin: “Liri për Palestinën”, “Le ta shkruajë historia” , “Stop gjenocidit në Gaza”, e të tjerë.
Ngjarja e sotme ishte paralajmëruar disa ditë më parë në rrjete sociale.
Në pamjet e publikuara shihet se këtij marshi i ka prirë i dënuari për terrorizëm, Albert Berisha, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Berisha, ishte dënuar për terrorizëm me vendim të formës se prerë nga gjykatat në Kosovë..
Në janar të vitit 2018, Berishës i ishte vërtetuar dënimi me burg për tri vite e gjysmë për pjesëmarrje në organizata terroriste. I njëjti, vazhdimisht kishte mohuar akuzat në atë kohë.
Ishte bërë i njohur për opinionin publik pasi ishte shfaqur duke pretenduar se është penduar që kishte shkuar për dy javë në Siri dhe pas apelit drejtuar qytetarëve, që të mos e bëjnë gabimin e tij, nuk i kishte “shpëtuar” burgut.
Protesta pro-Palestinës ka pasur edhe në vende të tjera evropiane, ndërsa disa kanë ndaluar tubime të tilla.