
I dyshuari për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK-së dërgohet në mbajtje për 48 orë
Gjatë ditës së sotme është arrestuari personi me iniciale B.K., në Podujevë, pasi i njëjti dyshohet se ia kishte vënë zjarrin veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osmani më 30 prill të këtij viti.
Lidhur me këtë rast, është deklaruar policia përmes një postimi në Facebook. Aty bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 07.05.2025 është realizuar një operacion policor në një lokacion në komunën e Podujevës, ku është arrestuar një person i dyshuar. Gjatë zbatimit të urdhëresës janë ndërmarrë edhe veprime tjera procedurale në përputhje me autorizimet ligjore, përfshirë kontrollin e një lokacioni dhe sigurimin e dëshmive relevante për hetimin. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë”, njoftoi policia.