I kemi mundur një nga një, tash do t’i mundim të gjithë

29 maj 18:36

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, i ftuar në emisionin Frontal në T7, ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin, duke treguar edhe format që do të përdorë kjo parti për të kundërshtuar këtë vendim që, sipas partisë së Albin Kurtit, është skandaloz.

Rexhaj thotë se me anë të këtij vendimi Gjykata Kushtetuese e ka krijuar një standard të dyfishtë. “Gjykata ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë. Në ato dhjetëra faqe po e përmend një shembull, aty thotë se ne nuk e kemi dhënë emrin sepse në njëfarë forme kemi dashur që ta bllokojmë formimin e qeverisë. Kjo nuk është e saktë. Kushtetuesja mund të bëjë interpretimin e Kushtetutës dhe jo të analizojë procese politike. Ne kemi thënë se do të përgjigjemi. Nuk ka afat. Kushtetuta nuk jep afat se brenda sa kohe duhet që t’i përgjigjemi. Kemi standard të dyfishtë. Këta gjykatës janë renditur në kahun e tyre. Kemi një Kosovë ku qytetarët vetë po thonë se kjo qeveri ka qenë shembull për Kosovën, sidomos për menaxhimin e pandemisë. Vetëm deputetët bëjnë amendamente, Gjykata vetëm e interpreton”, ka thënë ai.

Sipas deputetit të LV-së, Gjykata do të duhej t’i jepte një afat të ri Vetëvendosjes, që pastaj të kalonte te mandatimi i partisë që doli e dyta nga zgjedhjet. “Po krijohet një precedent i ri që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta lejonte, e kemi respektuar për herë. Ju e dini, ata gjykatës betohen para presidentit të Kosovës, zgjedhja është çështje tjetër, betimi nënkupton para një presidenti, sidomos nëse e kemi një president të tillë shpifës që kohët e fundit është marrë më shumë me kryeministrin sesa me punët e përditshme që i takojnë.

Gjykata mund të jepte një vendim të mesëm, që t’ia jepte një afat 15 ditësh Vetëvendosjes, pastaj të kalonte tek i dyti, po nuk ka dashur që ta rrëzojë vendimin e presidentit.

Gjykata nuk guxon në asnjë formë të bëjë nënkuptime. Ne i kemi thënë se përgjigjen e kemi dhe do ta japim. Në nenin 82 nuk përcaktohet afati. Ju kujtohet, atëherë 6 muaj pa qeveri. Në të kundërtën e asaj, në këtë rast kemi pasur qeveri, nuk është bllokuar puna e institucioneve”, ka thënë ai, derisa e ka përmendur edhe aktgjykimin e vitit 2014.

“Nëse ju kujtohet konteksti i atëhershëm, ne patëm thënë pse të mos e marrë vendi i dytë apo i tretë, por gjykata patë thënë vetëm vendi i parë. Tash jemi te vendi i parë. Çka ndodhi atëbotë. LDK-ja tha na bllokoi gjykata. S’na ka mbetur rrugë tjetër, po shkojmë me PDK-në. Atëherë pat pasur një vendim, u pat respektuar, tashti na thanë hyni në institucione, ne hymë; bëni opozitë, ne bëmë; fitoni zgjedhjet dhe udhëhiqni, ne i fituam zgjedhjet. Kur u bëmë forca e parë, thanë nuk ka të drejtë forca e parë sepse është diçka që quhet fituesi relativ. Në një garë të thjeshtë, kur të hyn dikush duhet të dalë i pari, në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen, besoj pas pandemisë, do t’i mundim të gjithë. Atëherë i kemi mundur një nga një, tash do t’i mundim të gjithë.

Gjykata do të duhej të ishte tempulli më i lartë i drejtësisë. Tash kredibiliteti i saj, mbajtja e anës që e ka bërë në mënyrë skandaloze, skandaloze, sepse është rreshtuar drejtpërdrejt sikur të ishte shkruar nga zyra ligjore e presidentit”, shton ai.

Ai thotë se në Vetëvendosje e kanë diskutuar këtë vendim që, sipas deputetit, është skandaloz.

“Ne e kemi diskutuar. Unë thashë, derisa ky vendim është skandaloz, e potencova, normalisht se do të diskutohet në mbledhjet tona të kryesisë e të strukturave tona por, si i tillë, mënyra se si është shkruar nuk, mund të arsyetohet. Kemi një vullnet dhe gatishmëri të qytetarëve për të protestuar, e që thonë se ndryshimi ka ndodhur e nuk ka kthim prapa.

Unë po them LV jo vetëm protesta, por do të organizohet në atë formë duke respektuar ligjin, Kushtetutën me të gjitha veprimet demokratike që i kemi në dorë ne si organizim. Këtu kemi një tendencë të hapur për uzurpimin e pushtetit. Avdullah Hoti në zgjedhje sa mijë vota i ka marrë?

Qindra mijëra qytetarë të shprehur te LV-ja, te Vjosa Osmani, të përkthehen, te një individ që i ka marrë mbi 10 mijë vota? Nisma që mezi e kaloi pragun. Për çfarë demokracie po flasim këtu. Neve na u tha që s’mund të kemi zgjedhje për shkak të pandemisë. Në rajon po pritet në 5-6 vende të ketë zgjedhje. Ka fitues relativ. A është thënë kështu? Albin Kurti fitoi shumicën. Edhe unë kam garuar po me një kandidat për kryeministër. Ai ka qenë lideri im. Vjosa Osmani ka qenë si kandidate për kryeministër. Në njëfarë forme këta dy po i thonë mendimet e veta. Nisma e Aleanca, pa burim qytetar, se nuk ua ka dhanë qytetari”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do të protestojnë duke përdorur gazin lotsjellës, Rexhaj thotë se vendimet për veprime të tilla do t’i marrin në struktura e kryesi të Vetëvendosjes.

“Unë kam shpresuar shumë te LDKja, në një LDK më ndryshe, e cila do të bashkëpunonte me LV-në dhe dy partitë do ta çkapin shtetin e kapur. Kam besuar në këtë koalicion saqë kam bërë thirrje për këtë koalicion dhe nuk kam qenë i vetmi. Nuk e di, nuk e besoj, por veprimet e LV-së merren në kryesi, në struktura. Ne gazin veç për me rikujtu e kemi hedhur për shkak të demarkacionit sepse e kemi kundërshtuar, për ta ndalë një projekt që i ka dhënë tokë Malit të Zi. Ka qenë mjet legal në kuptimin e fjalës që ka qenë transparent”, ka thënë ai në emisionin Frontal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka ardhur…